Policia e Kosovës ka nisur zbatimin e një praktike të re për ndëshkimin e kundërvajtjeve në trafik, duke filluar nga data 3 prill 2025.
Tash e tutje, të gjitha shkeljet e evidentuara përmes pajisjeve inteligjente – kamerave dhe radarëve – do të rezultojnë me dërgimin e gjobës përkatëse në adresën e pronarit të automjetit, përmes Postës së Kosovës.
“Përmes platformës e-Kosova qytetarët mund t’i verifikojnë dhe të informohen për gjobat eventuale të cilat mund t’i shkarkojnë dhe t’i kryejnë obligimet e pagesës” – njofton Policia.
Policia shton se në pamundësi të identifikimit të adresës së saktë të pronarit të automjetit, mosbartjes së pronësisë me rastin e shitblerjes së automjetit apo mosnjoftimin për ndërrimin e vendbanimit, kundërvajtësi do të informohet për gjobën e shqiptuar ndaj pronarit të automjetit në momentin e regjistrimit të automjetit.