Ambasadorët e QUINT kërkojnë të mbrohet liria e medias

Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it – Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara – si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, janë takuar këtë mëngjes me kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha si dhe juristen për media, Flutura Kusari.

Takimi u fokusua në diskutimin e gjendjes aktuale të mediave dhe lirisë së shtypit në Kosovë, në një kohë kur raportimet për presione ndaj gazetarëve janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ndau detaje nga ky takim përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë së lirë dhe të pavarur si një shtyllë bazë e çdo sistemi demokratik.

“Gazetaria e lirë dhe e pavarur është një gur themeli i demokracisë dhe meriton të respektohet dhe mbrohet,”, ka shkruar  ambasadori Rohde, duke e shoqëruar mesazhin e tij me simbolet e vendeve përkatëse dhe të Kosovës.

Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se “pengesat e fundit” në krijimin e një mjedisi të lirë medial në Kosovë janë për t’u shqetësuar.

“Kosova duhet të ndihet krenare për historikun e saj demokratik, por pengesat e fundit në krijimin e një mjedisi të lirë, të pavarur dhe pa frikë për gazetarinë janë një shkak shqetësimi”, ka thanë ai.

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.