Prishtina po përballet me një nga krizat më të mëdha të menaxhimit të mbeturinave në ditët e fundit. Rrugët e kryeqytetit janë të mbuluara me mbeturina, ndërsa Komuna e Prishtinës, në vend që të forcojë kapacitetet publike për menaxhimin e tyre, ka vendosur të bashkëpunojë me kompani private me të kaluar të kontestueshme.
Që nga mbrëmë, Komuna ka angazhuar për pastrimin e qytetit kompaninë “Dardaniaa SHPK”, në pronësi të Behram Gashit, ish-shef i operativës në ndërmarrjen publike “Pastrimi”, i cili ishte larguar nga kjo pozitë në vitin 2023 për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas burimeve të Demokracia.com, ndaj Gashit ekzistojnë aktakuza aktive për keqpërdorim të pozitës dhe fondeve publike gjatë kohës sa ishte pjesë e ndërmarrjes publike “Pastrimi”.
Megjithë këtë, siç ka raportuar Demokracia.com, në vitin 2024 Komuna e Prishtinës i ka dhënë kompanisë “Dardaniaa SHPK” dhe kompanisë së bashkëshortes së tij “Clean Work Shines SHPK” një tender për largimin e mbeturinave vëllimore-inerte, duke i besuar kështu një pjesë të menaxhimit të mbeturinave një kompanie të lidhur me një individ nën hetim.
Demokracia.com ka mësuar gjithashtu se Komuna e Prishtinës është duke negociuar kundërligjshëm, me procedurë të mbyllur dhe pa publikim, për një kontratë tjetër për mbeturina, sërish me kompaninë “Clean Work Shines SHPK”, në pronësi të bashkëshortes së Behram Gashit, pavarësisht se ka shpallur një tender publik për këtë qëllim.
Është me rëndësi të theksohet se Behram Gashi, pronar i “Dardaniaa SHPK”, për vite me radhë ka qenë Menaxher i Mirëmbajtjes dhe Autotransportit në “Pastrimi”, por është përjashtuar nga puna në vitin 2023. Aktualisht, ai po përballet me një proces gjyqësor ndaj kësaj ndërmarrjeje. Gashi, i njohur për afërsinë e tij me LDK-në, ka fituar tenderë në Komunën e Prishtinës në disa raste.
Më 13 mars, Komuna e Prishtinës ka zbatuar procedurën “E negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”, me vlerë të parashikuar prej 1.2 milionë euro për Lotin I dhe 800 mijë euro për Lotin II. Tenderi titullohej: “Ofrimi i shërbimit të grumbullimit, transportit dhe deponimit të mbeturinave – Lot 1 dhe Lot 2 (kontratë e negociuar)”. Më 2 prill, komuna rekomandoi për kontratë dy kompani për secilin lot përkatës.
Kundër këtij vendimi u ankuan dy operatorë ekonomikë, fillimisht në komunë, e më pas në OSHP, pasi ankesa e tyre u hodh poshtë në instancën e parë.
OSHP caktoi ekspertin Naser Fejzullahu për të shqyrtuar pretendimet. Më 8 maj 2025, ai dorëzoi raportin përfundimtar.
Rekomandimi i ekspertit doli kontradiktor me gjetjet e tij. Në përfundim të raportit shkruan:
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ankues të vlerësohet si pjesërisht e bazuar dhe të mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues.”
Por gjatë analizës, eksperti konstatoi se procedura e ndjekur me negocim për të njëjtat shërbime, për të cilat është i hapur një tender me vlerë të madhe, bie ndesh me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP).
Gjetjet kryesore të ekspertit:
-
Autoriteti Kontraktues (Komuna e Prishtinës) nuk ka zbatuar siç duhet dispozitat e LPP-së.
-
Sipas nenit 24, paragrafi 2 të LPP-së, “Autoriteti kontraktues është përgjegjës për të siguruar që të gjitha aktivitetet e prokurimit të realizohen në përputhje të plotë me ligjin.”
-
AK-ja ka anashkaluar procedurat dhe ka shkelur parimet e transparencës dhe konkurrencës (neni 104), kur ka përdorur procedurën e nenit 35.
-
Edhe nëse procedura është “pa publikim”, AK-ja nuk lirohet nga detyrimi për të respektuar nenin 35, paragrafi 3.
-
Janë evidentuar shkelje nga ana e AK-së dhe Komisionit të Vlerësimit – procedura e ndjekur nuk është transparente dhe bie ndesh me nenin 104.
Eksperti thekson se përgjegjësia për pasojat bie mbi AK-në. Ai vëren gjithashtu mungesën e reagimit nga KRPP në sistemin e e-prokurimit për këtë procedurë.
“Si ekspert shqyrtues, kam konstatuar gjendjen faktike në ekspertizë dhe kam dhënë mendimin tim lidhur me këtë procedurë në shqyrtimin e sipërm,” thuhet në raport.
Eksperti shton se në rast të kthimit në pikën zero, do të ketë vonesa të mëdha për shkak të mungesës së lejes mjedisore të njërit prej operatorëve ankues dhe kohës që kërkohet për një procedurë të re deri te nënshkrimi i kontratës. Ndërkohë, situata është shpallur urgjente dhe janë përzgjedhur ofertues që i plotësojnë kërkesat e dosjes – ndonëse me mangësi.
Sipas tij, në rast të ndërprerjes së shërbimeve, qytetarët do të jenë ata që do të vuajnë pasojat, për shkak se Komuna ka shmangur konkurrencën dhe ka shkelur dispozitat ligjore të LPP-së.
Tashmë, fjala i mbetet panelit të OSHP-së për një vendim përfundimtar, i cili ende nuk është marrë – të paktën sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të OSHP-së.
Ditë më parë, Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender të madh me procedurë të hapur për menaxhimin e mbeturinave për tre vitet e ardhshme, me vlerë prej 16.5 milionë euro, të ndarë në gjashtë lote. Megjithatë, kriteret e vendosura në dosjen e tenderit dhe njoftimi për kontratë tregojnë për specifika teknike që kufizojnë konkurrencën dhe favorizojnë një operator të vetëm, duke diskriminuar të tjerët.
Këtë e ka konstatuar Paneli i OSHP-së në vendimin final për këtë tender, duke urdhëruar përmirësimin e kritereve. Komuna më pas ka bërë disa ndryshime në dosjen e tenderit.
Këto zhvillime kanë nxitur reagime të ashpra nga ndërmarrja publike “Pastrimi”, e cila tradicionalisht merret me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë. Në një reagim zyrtar, “Pastrimi” ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës i ka borxh 2.7 milionë euro vetëm për vitin 2025 – borxh që ka ndikuar në pezullimin e disa shërbimeve për qytetarët.
“Jemi përballë një kolapsi operativ. Borxhi i pashlyer nga Komuna po na pamundëson ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët e Prishtinës,” thuhet në reagimin e “Pastrimi”.
Për qytetarët, kjo është më shumë sesa një krizë operacionale. Është një thellim i mosbesimit ndaj institucioneve dhe mënyrës se si menaxhohen paratë publike nga Komuna e Prishtinës. Një qytet i mbuluar me mbeturina, tenderë për kompani të lidhura me ish-zyrtarë të akuzuar për keqpërdorim dhe një ndërmarrje publike pa mbështetje financiare – kjo është pamja aktuale e kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës ende nuk ka dhënë një sqarim zyrtar për këto vendime dhe akuzat publike që rëndojnë mbi mënyrën se si po menaxhohen fondet për pastrimin e qytetit, si dhe për prirjen për të kontraktuar operatorë privatë, kryesisht të lidhur me LDK-në. /Demokracia.com/