Kryeministri Edi Rama priti në Tiranë Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet ditën e nesërme në kryeqytet. Në konferencën e përbashkët për mediat, të dy theksuan rëndësinë e përmbushjes së detyrave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe shprehën besimin e fortë në këtë proces.
“Unë nuk e kam humbur asnjëherë besimin, por kam thënë që kjo është një histori dashurie, deri kur ana tjetër do të ndjejë nevojën për ty, ti s’duhet të dorëzohesh. Ndërkohë që ti rri poshtë dritares duke bërë serenatë, deri sa të hapet dritarja. Dritarja është hapur, çarçafi është hedhur, dhe ne tani, të dashuruarit, duhet të ngjitemi”, tha Rama.
Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me mundësinë që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda vitit 2023, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, u shpreh optimist, por theksoi se gjithçka varet nga puna e qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë: “E gjitha kjo varet nga ecuria juaj. Unë jam i sigurt që me këtë mesazh të fortë që kam për shqiptarët dhe për ju Edi dhe ekipin tuaj, unë jam i sigurt që ju do të bëni një punë të shkëlqyer. Vitin tjetër unë jam i sigurt që nuk do t’i përgjigjem të njëjtës pyetje. Po Shqipëria do të bëhet vend anëtar së shpejti.”
Rama shtoi se e ardhmja është në dorë të shqiptarëve dhe pas përmbushjes së të gjitha detyrave, BE do të japë fjalën e saj për hapjen e derës së anëtarësimit. “Unë shpresoj të vish vitin e ardhshëm se do të hapim kolegjin e ri. Po ndërtojmë një godinë që është më e bukur se ajo në Bruzhë. Unë jo vetëm që i qendroj asaj që kam thënë që ne na është dhënë mundësia historike pasi janë rreshtuar yjet bashkë dhe BE ka hapur derën që të hyjmë në atë derë nëse ne bëjmë të gjitha ato që janë të shkruara dhe të përmbledhura në planin që kemi në tavolinë sëbashku me Komisionin. Ne do të bëjmë tonën, se po nuk bëmë ne tonën nuk ka çfarë bën as Antonio që e do me zemër këtë proces, Shqipërinë dhe rajonin sepse BE funksionon me laps dhe me kritere dhe standarde që duhen përmbushur. Pasi ne të bëjmë tonën pastaj topi është në fushën e tyre për të hapur derën. Zoti u shtoftë inatin edhe para 2030-ës.”
Kryeministri përmendi se anëtarësimi në BE për shqiptarët nuk është vetëm çështje fondesh apo prosperiteti, por mbi të gjitha një çështje dinjiteti dhe identiteti: “Ne jemi në mes të Europës nga popujt më të vjetër këtu. Për sa kohë nuk hyjmë në BE do të mbetemi të huaj. Për ne nuk është çështje as fondesh e as prosperiteti, por në radhë të parë është çështje dinjiteti dhe identiteti.”