Neymar po kthehet, buzëqeshin Santosi e Ancelotti

Neymar Junior është rikthyer, për të disatën herë.

Dhimbjet kanë nisur të largohen përfundimisht: sipas shtypit brazilian, është shumë afër rikthimi në fushë për ish-futbollistin e Barcelonës e Paris Saint-Germainit.

Pas më shumë se një muaji nga lëndimi më i ri në kofshën e këmbës, i pësuar në ndeshje me Atletico Mineiro, ylli brazilian më në fund do të duhej të udhëtojë me shokët e skuadrës në fundjavën tjetër për ta zhvilluar ndeshjen e Copa do Brasil kundër Clube de Regatas, e cila do të luhet më 23 maj.

Një rikthim i lojtarit të lindur në vitin 1992 që do t’i hapte edhe bisedimet për kontratën e re.

Marrëveshja duket se është afër: Neymar e ka larguar mundësinë e rikthimit në Evropë dhe mund të nënshkruajë me klubin e tij të fëmijërisë deri tek Botërori 2926.

Drejtuesit e klubit e dinë mjaft mirë se sa e rëndësishme dhe se sa e vështirë është që ta mbash një lojtar të këtij niveli, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë financiar.

Autor i 3 golave dhe i 3 asistimeve në 7 ndeshje që nga rikthimi i tij në atdhe, Neymar e ka ndërmend ta realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në Botërorin e tij të fundit në karrierë.

Rikthimi i tij është një lajm që e bën të lumtur edhe trajnerin Carlo Ancelotti, i cili shumë shpejt do të emërohet selektor i ri i Kombëtares së Brazilit.

Trajneri aktual i Real Madridit shpreson ta nisë sa më mirë aventurën e tij tek “Seleçao” dhe ai natyrisht llogarit në rikthimin e Neymarit në Kombëtare, por e do edhe rikthimin e Casemiros, me synimin që ta rikthejë titullin e kampionit të botës në Brazil pas një kohe të gjatë, respektivisht nga viti 2002.

Shpresë e Ancelottit, por edhe e miliona tifozëve Verdhekaltër është që ta shohin prapë magjinë e Neymarit.