Ka nisur takimi i Presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive, në kërkim të një rrugëdalje nga bllokada e krijuar tash e një muaj, shkruan Reporteri.net.
Në takim po marrin pjesë të gjithë liderët e partive. Ftesa e Osmanit për takim konsultativ erdhi pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit. E fundit ishte sot.
Pas liderëve të partive shqiptare, Osmani do të takohet më pas me ata të minoriteteve.
Nga LDK kanë deklaruar se në këtë takim do ta prezantojnë propozimin e tyre për qeveri të tranzicionit, me detaje të tjera.
Vetëvendosje e ka kundërshtuar ashpër këtë, duke thënë se partia e tretë s’mund të dalë me propozime të tilla.
Propozimi nga kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, erdhi pas ftesës që i bëri kreu i VV’së, Albin Kurti, për koalicion, për çka ai e refuzoi.
Ndryshe, para takimit, Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në zyre të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, Anu Prattipati.
Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se edhe në këtë takim u diskutua për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje, shkruan Reporteri.net.
“Përveç kësaj u diskutuan tema konkrete të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës, që ndër të tjera përfshijnë fushën e diplomacisë dhe mbrojtjes”, thuhet në njoftim./Reporteri.net