Sot do të bëhet përpjekja e 16-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca konstituive, e ndërprerë të martën do të vazhdojë në orën 10:00. Kjo do të jetë seanca e 16-të çdo 48 orë që nga 15 prilli, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë. Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Ndërkohë, po sot Presidentja Vjosa Osmani do të tentojë të gjejë një zgjidhje me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituim të Kuvendit. Nga sot, ajo do të fillojë një seri konsultimesh me liderët e partive rreth konstituimit të Kuvendit, që ka dështuar tash e një muaj.
Në takimin e ftuar nga Osmani pritet të marrin pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), shkruan gazeta online Reporteri.net.
Po ashtu, Presidentja do të zhvillojë një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Nga Presidenca e kanë konfirmuar se të gjithë liderët kanë pranuar ftesën dhe do të marrin pjesë në takim./Reporteri.net/