Ndërkombëtarët, presidentja apo Gjykata Kushtetuese: Kush do ta zgjidhë ngërçin?

Zvarritja e krijimit të institucioneve të reja ka shqetësuar seriozisht mekanizmat e pavarur vendor dhe aleatët e Kosovës. Për tejkalimin e ngërçit politik këtë javë janë aktivizuar mekanizmat vendorë dhe ata ndërkombëtarë. Ambasadorët e shteteve të QUINT-it, presidentja Vjosa Osmani dhe Gjykata Kushtetuese duket se do të merren seriozisht me këtë çështje.

Ngërçi politik ka shqetësuar edhe ndërkombëtarët. Në fillim të javës, ambasadorëve të shteteve të QUINT-it kanë takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilit i kanë kërkuar formim sa më të shpejt të institucioneve të reja.

Pas takimit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ka treguar se çka është biseduar në takim.

“Këtë pasdite takova Kryeministrin në detyrë Kurti me ambasadorë të tjerë të Kuintit. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur për të vepruar në interes të 🇽🇰 dhe popullit të saj duke bërë përparim në çështje jetësore, të tilla si zhbllokimi i fondeve dhe ecja drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar ai.

Këtë javë është aktivizuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Nesër ajo do të takojë liderët e të gjitha partive politike parlamentare, ku do të diskutojë për daljen nga ngërçi politik.

Takimi me liderët e partive shqiptare do të mbahet në ora 13:00.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet.”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Kurse, në ora 16:00 shefja e shtetit do t`i takojë partitë parlamentare nga komunitet.

Po ashtu, këtë javë AAK-ja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për dalje nga situata aktuale.

Me ndihmën e deputetëve të LDK-së dhe PDK-së, AAK-ja ka kërkuar nga Kushtetuesja shqyrtimin e gjitha vendimeve të fundit në seancën konstituive.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se ngërçi aktual politik mund të tejkalohet vetëm përmes Gjykatës Kushtuese.

“Loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore. Dëmet nga bllokada që po i bëhet konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Në një situatë të tillë pa rrugëdalje, e vetmja derë na ka mbetur Gjykata Kushtetuese. Prandaj sot, Grupi ynë Parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK dhe të PDK, i është drejtuar asaj për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.