Krejt çka ndodhi në protestën e ish-luftëtarëve të UÇK-së kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale

Vizita e djeshme e kryetares së Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë, u prit me protestë nga ish- pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-luftëtarët shfaqën pakënaqësinë e tyre kundër mbajtjes në burg të ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Trendafilova anuloi  konferencën e paralajmëruar për media, siç u kumtua nga Specialja, për shkaqe sigurie.

Pati edhe tensione në protestën e Organizatës së veteranëve të luftës të UÇK-së kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova në Kosovë. Në protestën që mbahej në lagjen Marigona para hotelit ku është Trendafilova, u hodh tym i zi.

Policia e Kosovës ndërhyri dhe ua mora protestuesve mjetet që nxirrnin tym të zi.

Në protestë u dëgjuan shpesh brohoritjet “UÇK, UÇK…”.

Veteranët para mediave thanë se kjo protestë është thirrur për të ngritur zërin kundër, sic thanë, një padrejtësie që po thellohet dhe ndaj një përpjekje të vazhdueshme për të shtrembëruar historinë tonë kombëtare

‘‘Përfaqësuesit e organizatave të dala nga UÇK-ja, kemi thirrur këtë konferencë për të ngritur zërin ndaj një padrejtësie që po thellohet, dhe ndaj një përpjekje të vazhdueshme për të shtrembëruar historinë tonë kombëtare. Shprehim këto shqetësime dhe kërkesa legjitime, nën 1: Narrativa e njëanshme  e Dhomave të Specializuara, qasja selektive ndaj UÇK-së dhe anashkalimi i krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë është e padrejtë dhe e papranueshme. Kjo e dëmton drejtësinë dhe paqen afatgjate në rajon’’, u tha nga veteranët.

Si pikë të dytë ata kanë përmendur atë që e kanë quajtur si ‘‘përndjekje’’ e ish-krerëve të UÇK-së.

‘‘Përdorimi politik i drejtësisë, nën 2: Përndjekja e ish krerëve të UÇK, shumë prej të cilëve kanë mbajtur edhe poste të larta shtetërore, duket si i motivuar politikisht dhe rrezikon vetë themelet e shtetit të Kosovës’’.

Tutje, ata kanë kritikuar edhe qasjen e Trendafilovas, duke thënë se  e njëjta ka pasur qasje të njëanshme.

‘‘Nën 3; Qasje shpërfillëse dhe e njëanshme e zonjës Trendafilova, paraqitjet e saj publike kanë treguar mungesë respekti për realitetin e luftës çlirimtare dhe për vuajtjet e popullatës shqiptare. Shpesh ka shpërfillur zërat e viktimave, veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke i cilësuar reagimet si presion ndaj drejtësisë, në vend se ti njoh si shqetësime të ligjshme’’, është thënë me tej nga veteranët.

Si pikë të katërt dhe të pestë, ata kanë theksuar se qindra masakra të kryera nga regjimi i Millosheviqit nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe kanë potencuar po ashtu humbjen ‘’e besimit në procesin gjyqësor’’.

‘‘Nën 4, drejtësia e munguar për krimet serbe në Kosovë. Qindra masakra të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit ende nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Nën 5; Humbja e besimit në procesin gjyqësor. Mungesa e transparencës dhe perceptimi për drejtësi selektive kanë krijuar një hendek të thellë mes shoqërisë kosovare dhe Dhomave të Specializuara’’, thanë veteranët në protestë.

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale në Hagë, Angela Griep, bëri të ditur se konferenca për media e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është anuluar për arsye të sigurisë publike

“Mund të konfirmoj që ngjarja e sotme është anuluar për arsye të sigurisë publike dhe bazuar në këshillën e Policisë së Kosovës. Kjo është gjithçka që mund t’ju them për momentin. Do të shohim më vonë për ndonjë informacion shtesë”, tha ajo.