Çfarë pritet nga takimi i 15 majit pas ftesës pajtuese të Presidentes

Të gjithë liderët politikë të Kosovës janë ftuar dhe pritet të marrin pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, i cili do të mbahet me datën 15 maj.

Ky takim ka për qëllim koordinimin dhe shkëmbimin e qëndrimeve ndërmjet subjekteve politike për ecurinë e mëtejme për formimin e institucioneve dhe tejkalimin e ngërçit politik.

Ftesa e presidentes është pranuar nga të gjithë liderët e partive politike, pjesëmarrëse në Kuvend.

Megjithatë, ndonëse pjesëmarrja është konfirmuar, nuk dihet ende nëse të gjithë liderët do të bien dakord me idetë apo propozimet që mund t’i paraqesë Presidentja Osmani gjatë takimit.

Konsultimet pritet të jenë thelbësore për të ndërtuar konsensus për hapat e ardhshëm institucionalë, por gjithçka do të varet nga gatishmëria politike për bashkëpunim dhe kompromis.

Deputeti i VV-së: Nuk e jap votën për diçka si në kohën e UNMIK-ut, qeveria gjithëpërfshirëse ka synim formimin e asociacionit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, për FrontOnline ka folur për takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani për datën 15 maj, ku pritet të mblidhen të gjithë liderët politikë për të diskutuar për hapat e mëtejshëm drejt formimit të institucioneve të reja.

Ai shprehu pritshmërinë që ky takim të ndihmojë në tejkalimin e ngërçit aktual politik dhe kërkoi nga opozita të tregojë përgjegjësi.

“Pres që të dalim nga ky ngërc politik. Partitë opozitare duhet me reflektu dhe t’i lën inatet politike, sepse shteti ka nevojë për institucione,” deklaroi Thaçi, duke theksuar se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike.

Sipas tij, disa nga partitë opozitare nuk po veprojnë në interes të shtetit, por për qëllime të tjera.

 “Partitë opozitare e kanë më prioritet inatet politike sesa shtetin dhe Presidentja duhet të kontribuoj këtu dhe të dalim nga kjo krizë.” potencoi ai.

Thaçi u shpreh qartë kundër idesë së një qeverie gjithëpërfshirëse, duke e lidhur atë me synime që, sipas tij, dëmtojnë interesin public.

 

“Ata që po kërkojnë Qeveri gjithëpërfshirëse e kanë qëllim formimin e asociacionit dhe qëllimi i dytë, shitja e këtyre pak ndërmarrjeve publike që kanë mbetë. Dhe ne jemi kundër qeverisë gjithëpërfshirëse.” shtoi tutje.

Deputeti i VV-së përjashtoi mundësinë që ai personalisht të mbështesë një qeveri të tillë.

 “Nuk mund të kemi qeveri gjithëpërfshirëse si në kohën e UNMIK-ut. Unë si deputet nuk e jap votën për një qeveri gjithëpërfshirëse.” përfundoi deputeti Thaçi.

Muhaxheri për takimin e Presidentes: Një hap drejt zgjidhjes, presim që të hiqet mjegulla

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxheri, për FrontOnline ka komentuar takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani më 15 maj, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv drejt zgjidhjes së situatës politike pas zgjedhjeve.

Ai theksoi se LDK tashmë ka dhënë propozimin e saj për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe pret që edhe palët e tjera të kontribuojnë me ide konkrete.

“Ne qeverinë gjithëpërfshirëse ja kemi propozuar atij që na ka thirrë me bërë Qeverinë, pra VV-së,” deklaroi Muhaxheri për FrontOnline, duke nënkuptuar se nisma për ndërtimin e institucioneve të reja i takon Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.

Sipas tij, takimi i ftuar nga Presidentja mund të shërbejë si një platformë ku mund të shqyrtohen edhe alternativa të tjera.

“Ky është propozimi ynë, nëse kanë ide më të mirë le të propozojnë. Le ta shohim edhe tek Presidentja a ka ndonjë ide dhe të tjerët çka propozojnë.” shtoi ai.

Muhaxheri u shpreh optimist se ky takim mund të jetë hap drejt zgjidhjes.

“Besoj se hiqet mjegulla për krejt këtë punë. Është një hap drejt zgjidhjes.” përfundoi ai.

Pal Lekaj: Takimi i 15 majit është hap i rëndësishëm, por pritjet duhet të jenë të kujdesshme

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, për FrontOnline e ka vlerësuar takimin e paralajmëruar për më 15 maj mes Presidentes dhe liderëve politik si një përpjekje të rëndësishme për zgjidhjen e krizës aktuale institucionale.

Megjithatë, ai ka bërë thirrje për maturi në pritje, duke theksuar se suksesi i këtij takimi varet nga gatishmëria reale e palëve për kompromis.

Takimi i 15 majit mes Presidentes dhe liderëve politik është një hap i rëndësishëm në përpjekje për të tejkaluar ngërçin institucional, por pritjet duhet të jenë të kujdesshme. Varet shumë nga vullneti politik i palëve“, ka deklaruar Lekaj për FrontOnline.

Sipas tij, një takim formal nuk mjafton nëse nuk ka qëllim për zgjidhje konkrete.

“Nëse liderët shkojnë aty vetëm për të ruajtur pozicionet e tyre dhe jo për të gjetur zgjidhje, atëherë nuk do të ketë ndonjë zhvillim domethënës“, ka paralajmëruar ai.

Lekaj ka theksuar rëndësinë e rolit të Presidentes në këtë proces, duke e cilësuar si sinjal pozitiv për krijimin e një forme të komunikimit institucional.

Vetë fakti që Presidentja po ndërmjetëson një takim të tillë është shenjë se po kërkohet një kanal komunikimi institucional“, ka thënë ai.

Ai nuk përjashton mundësinë e progresit, por vetëm nëse ka përkushtim për hapa konkretë: “Mund të ketë një përparim, nëse së paku arrihet pajtimi për hapat e ardhshëm, si p.sh. një dakordim për zgjedhje të parakohshme apo një plan për tejkalimin e krizës aktuale, qoftë përmes marrëveshjes politike ose rifunksionalizimit të Kuvendit“, ka përfunduar Lekaj për FrontOnline.

NISMA Socialdemokrate: Nuk kemi pranuar ftesë nga Presidentja për takimin e 15 majit

Sekretari për Marrëdhënie me Publikun i NISMA-s Socialdemokrate, Endrit Shala, për FrontOnline ka deklaruar se partia e tyre ende nuk ka pranuar ndonjë ftesë zyrtare nga Presidentja Vjosa Osmani lidhur me konsultimet e paralajmëruara për datën 15 maj.

“Jo, deri më tani NISMA Socialdemokrate nuk ka pranuar ndonjë ftesë zyrtare për pjesëmarrje në konsultimet e paralajmëruara nga Presidentja,” u shpreh Shala.

Ai gjithashtu theksoi se qëndrimet politike të partisë i artikulojnë vetëm përfaqësuesit zyrtarë të saj.

“Unë dua të nënvizoj se për qëndrimet politike dhe institucionale të NISMA-së nuk delegohen, për to flet vetë NISMA, përmes kryetarit të saj apo përfaqësuesve zyrtar të saj,” shtoi ai për FrontOnline.

Shala theksoi rëndësinë e respektimit të përfaqësimit parlamentar në të gjitha komunikimet institucionale, duke kërkuar që ato të zhvillohen në mënyrë të dinjitetshme për secilin subjekt.

“Si subjekt parlamentar, ne presim që çdo komunikim institucional të zhvillohet me respekt ndaj përfaqësimit të secilit subjekt në Kuvend,” përfundoi Shala.

Pozhari për takimin e 15 majit: Më shumë rrezikon të prodhojë akuza se zgjidhje

Analisti politik Xhevdet Pozhari për FrontOnline ka komentuar takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani më 15 maj, duke shprehur skepticizëm për efektivitetin e këtij takimi në zgjidhjen e ngërçit aktual politik.

Sipas tij, mungesa e pjekurisë politike dhe papërgjegjësia që po tregojnë partitë politike e vë në pikëpyetje mundësinë për ndonjë kompromis të qëndrueshëm.

“Me këtë papjekuri dhe papërgjegjësi politike të cilën janë duke e treguar të gjitha partitë për konstituimin e Parlamentit të Kosovës, edhe tentativa e Presidentes për t’i shtyrë palët drejt një kompromisi për tejkalimin e kësaj situate që ngjan në ‘shfaqje të fëmijëve’, kam drojën se më shumë do të prodhojë një episod të ri për akuza dhe kundërakuza, sesa zgjidhje,” ka deklaruar Pozhari.

Ai shtoi se nuk do të duhej të ishte i nevojshëm një ndërmjetësim presidencial për një proces që lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësitë e partive politike dhe mirëfunksionimin e institucioneve.

“Ata të cilët e kuptojnë rëndësinë e funksionimit të institucioneve shtetërore nuk do të duhej të kishin nevojë për ndërmjetësues për t’u kuptuar.” shtoi Pozhari.

Pozhari përdori edhe një shprehje simbolike për të përshkruar gjendjen aktuale politike në vend.

“Shumica flasin shqip, nuk kanë nevojë as për përkthyes! Por, çështja siç duket është se nuk mendojnë ‘shqip’, në të kundërtën nuk do të krijonin një situatë të tillë ku dëmtohet interesi i shtetit dhe i qytetarëve.” ironozio ai.