Qytetari denoncon ndotjen e mjedisit, Komuna e Rahovecit e shpërblen me 50 euro

Një qytetar i komunës së Rahovecit është bërë shembull i përgjegjësisë qytetare, duke u shpërblyer nga institucionet komunale me 50 euro për raportimin e një rasti të hedhjes ilegale të mbeturinave në hapësirë publike.

Vendimi është marrë nga kryetari i komunës, Smajl Latifi, në bazë të ligjeve për vetëqeverisje lokale dhe mbrojtjen e mjedisit. Sipas dokumentit zyrtar, falë denoncimit të qytetarit, rasti është trajtuar nga Inspektorati komunal dhe është identifikuar dhe ndëshkuar shkaktari i ndotjes.

Në vendim thuhet se shpërblimi ka për qëllim të nxisë angazhimin qytetar dhe të forcojë ndërgjegjësimin publik për ruajtjen e ambientit në komunën e Rahovecit.

Komuna njofton se do të vazhdojë me këtë praktikë edhe në të ardhmen, duke ftuar qytetarët të jenë pjesë aktive në ruajtjen e mjedisit.