Largime masive nga Barcelona, 9 lojtarë janë me valixhe në duar

Barcelona pritet të ndjekë një strategji të qartë gjatë afatit kalimtar të verës, para se të bëjë blerje të reja, do të duhet të largojë disa lojtarë. Kjo politikë është e diktuar nga situata e vështirë financiare që klubi po përjeton.

Klubi katalanas nuk do të detyrojë askënd të largohet me forcë, por do të jetë i hapur për të negociuar me çdo lojtar që nuk është pjesë thelbësore e planeve të trajnerit Hansi Flick.

Sipas gazetës katalunase Sport, nëse mbërrijnë oferta të mëdha që kalojnë pritshmëritë financiare të klubit, ato do të shqyrtohen me shumë kujdes, edhe nëse bëhet fjalë për emra të papritur.

Lista e lojtarëve që mund të largohen përfshin portierin Inaki Pena, mbrojtësin Hector Fort, mesfushorin Pablo Torre dhe sulmuesit Pau Victor e Ansu Fati. Këta futbollistë nuk kanë arritur të konsolidohen në skuadrën e parë për arsye të ndryshme.

Gjithashtu, Barça është e hapur për të dëgjuar oferta edhe për lojtarë si Ronald Araujo, Fermin Lopez, Gavi dhe Frenkie de Jong, sidomos nëse holandezi nuk rinovon kontratën e tij.

Pas largimeve të mundshme dhe krijimit të hapësirave në buxhet, Barcelona do të synojë përforcime të rëndësishme për t’i përshtatur stilit të Flick.

Objektivat për përforcime përfshijnë një mbrojtës krahu, një sulmues të gjithanshëm me instinkt goli, një mesfushor kreativ dhe nëse është e nevojshme, një portier që mund të zëvendësojë Wojciech Szczesnyn.

Szczesny ende nuk ka pranuar rinovimin, ndaj Barça po shqyrton edhe këtë pozicion si pjesë e rindërtimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm.