Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e ka anuluar konferencën që pritej të mbahej në Prishtinë. Konferenca u anulua pas protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para hotelit ku po qëndronte ajo. Nga Specialja kanë konfirmuar anulimin duke e arsyetuar me kushtet e sigurisë.
Veteranët e luftës së UÇK-së kanë filluar të shpërndahen pasi kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova e ka anuluar konferencën e paralajmëruar.
Sipas Hysni Gucatit i cili paraprakisht ka biseduar me një epror të policisë, Trendafilova mund të mos ketë qenë as brenda hotelit.
“Trendafilova e ka anuluar takimin dhe nuk ka konferencë për shtyp”, tha Gucati për mediat.
OVL-UÇK u mblodh para hotelit ku po qëndron Trendafilova për të shprehur pakënaqësi për vizitën e saj në Kosovë, pasi sipas tyre, ardhja e saj në vendin tonë është e papranueshme.
Ata para mediave kanë thënë se kjo protestë është thirrur për të ngritur zërin kundër ‘‘një padrejtësie që po thellohet, dhe ndaj një përpjekje të vazhdueshme për të shtrembëruar historinë tonë kombëtare’’.
‘‘Përfaqësuesit e organizatave të dala nga UÇK-ja, kemi thirrur këtë konferencë për të ngritur zërin ndaj një padrejtësie që po thellohet, dhe ndaj një përpjekje të vazhdueshme për të shtrembëruar historinë tonë kombëtare. Shprehim këto shqetësime dhe kërkesa legjitime, nën 1: Narrativa e njëanshme e Dhomave të Specializuara, qasja selektive ndaj UÇK-së dhe anashkalimi i krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë është e padrejtë dhe e papranueshme. Kjo e dëmton drejtësinë dhe paqen afatgjate në rajon’’, është thënë nga veteranët.
Tutje, si pikë të dytë ata kanë përmendur atë që e kanë quajtur si ‘‘përndjekje’’ e ish-krerëve të UÇK-së.
‘‘Përdorimi politik i drejtësisë, nën 2: Përndjekja e ish krerëve të UÇK, shumë prej të cilëve kanë mbajtur edhe poste të larta shtetërore, duket si i motivuar politikisht dhe rrezikon vetë themelet e shtetit të Kosovës’’.
Tutje, ata kanë kritikuar edhe qasjen e Trendafilovas duke thënë se e njëjta ka pasur qasje të njëanshme.
‘‘Nën 3; Qasje shpërfillëse dhe e njëanshme e zonjës Trendafilova, paraqitjet e saj publike kanë treguar mungesë respekti për realitetin e luftës çlirimtare dhe për vuajtjet e popullatës shqiptare. Shpesh ka shpërfillur zërat e viktimave, veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke i cilësuar reagimet si presion ndaj drejtësisë, në vend se ti njoh si shqetësime të ligjshme’’, është thënë me tej nga veteranët.
Si pikë të katërt dhe të pestë, ata kanë theksuar se qindra masakra të kryera nga regjimi i Millosheviqit nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare, dhe kanë potencuar po ashtu humbjen ‘’e besimit në procesin gjyqësor’’.
‘‘Nën 4, drejtësia e munguar për krimet serbe në Kosovë. Qindra masakra të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit ende nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Nën 5; Humbja e besimit në procesin gjyqësor. Mungesa e transparencës dhe perceptimi për drejtësi selektive kanë krijuar një hendek të thellë mes shoqërisë kosovare dhe Dhomave të Specializuara’’, është përfunduar nga veteranët.
“Rroftë Hashim Thaçi, UÇK”, veteranët bllokojnë hyrjen e hotelit ku po qëndron Trendafilova