Sonte nis Eurovision 2025 – Shqipëria performon në gjysmëfinalen e parë

Gjysmëfinalja e parë e edicionit të 69-të të Festivalit të Këngës në Eurovision do të mbahet sonte, duke filluar nga ora 21:00, në Bazel të Zvicrës.

Ky vend u bë mikpritës i konkursit pasi vitin e kaluar në Malmo Nemo fitoi me këngën “The Code”.

Eurovisioni mbahet në St. Jakobshalle dhe prezantueset e ceremonisë janë Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer.

 

Në garë janë 37 vende.

Zvicra dhe Pesëshja e Madhe (Big 5) e përbërë nga Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe tashmë janë të kualifikuara për finalen e 17 majit.

Vendet e mbetura janë planifikuar për gjysmëfinalet e para dhe të dyta, të cilat zhvillohen sonte, më 13 maj, dhe të enjten, më 15 maj.

 

Shqipëria që sivjet përfaqësohet nga Shkodra Elektronike me “Zjerm” do të performojë në natën e sotme, gjysmëfinalen e parë.

Mali i Zi po rikthehet në Festivalin e Këngës në Eurovision pas një mungese dyvjeçare, ndërsa Moldavia, e cila planifikonte të merrte pjesë, u tërhoq për shkak të problemeve financiare.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Eurovision Song Contest (@eurovision)

 

Konkursi i Këngës në Eurovision është mbajtur pothuajse çdo vit që nga viti 1956, duke e bërë atë konkursin ndërkombëtar muzikor më jetëgjatë të transmetuar në televizion. U anulua vetëm në vitin 2020 për shkak të pandemisë së coronavirusit.