Vazhdon përplasja virtuale, Bajrami e fton për ballafaqim ministren Rizvanolli

 

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dorëzuar në  Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) kërkesën për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Po ashtu, në diskutimet publike, LDK ka përmendur edhe idenë e ndarjes së 50 milionë eurove për subvencionimin e bizneseve të mëdha.

E, kjo kërkesë ka nxitur një përplasje virtuale ndërmjet deputetes së kësaj partie, Hykmete Bajrami dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në një deklaratë publike, Rizvanolli theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të lejojë që miliona euro nga taksat e qytetarëve të shkojnë për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike të “1%-shit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë”.

“LDK-ja, ndoshta edhe do të donte ta realizonte këtë politikë, siç kanë vepruar gjatë pandemisë, por këtë mund ta bëjnë vetëm nëse ndonjëherë i fitojnë zgjedhjet”, tha Rizvanolli.

Shtrenjtimi i rrymës dhe tregu i hapur, Rizvanolli kundër subvencionimit, i reagon LDK-së dhe ZRRE-së

Pas kësaj deklarate të ministres në detyrë, ka reaguar sërish deputetja Hykmete Bajrami.

Sipas Bajramit, Artane Rizvanolli nuk plotëson kushtet për të kritikuar veprimet e LDK-së.

“Artane Rizvanolli nuk plotëson asnjë kusht për të kritikuar veprimet apo mos veprimet e kujtdo, aq me pak të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo duhet së pari t’i sqaroj publikut se qysh në grupin e Whatsapp-it ku ajo ishte pjesë ndaheshin tenderë milionësh të KEK-ut për kompani që as kriteret nuk i plotësonin (korrupsion ky për të cilin ka aktakuza e që kostoja e këtij korrupsioni është përkthyer në ngritje të tarifave të energjisë)”, ka theksuar ajo.

Më tej, Bajrami deklaroi se “Për me tepër znj. Rizvanolli, ju keni përgjegjësi direkte që gjatë mandatit të tuaj energjia për ekonomitë familjare për komsumin mbi 800 MWh është ngritë për 128% (ka pasë rritje edhe për ata që konsumojnë nën 800 MWh)”.

“Në postim e paske pranu se çmimi i transmisionit është rritë për 10 -fish, e po mendon që përgjegjësia jote përfundon aty, kur përmes postimit në facebook i kërkoni përgjegjësi ZRrE-së për këtë. Jo, e nderuar, sepse të gjithë e dimë kush zgjedhur anëtarët e Bordit të KOSTT-it e kush e ka emëruar mandej drejtorin e KOSTT-it, gjithashtu e dime se me vota të kujt është zgjedhë bordi i ZRrE-së”, shtoi ajo.

Tutje, ajo ka ftuar ministren që edhe të ballafaqohen në një debat.

“E dime që ju pengon LDK-ja – ju pengon secili që ju kërkon llogari dhe ju vendos përballë fakteve. Hajde në debat deputet e t’i përballim faktet! Nëse nuk vjen të kuptoj se nuk e ke lehtë në rolin që të ka caktuar partia për të mbrojtur mafinë energjetike, nga Martini e Nagipi, e deri te miku i deputetit Kurti në Greqi, z. Georgios Peristeris”.