Sot përpjekja e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Sot do të bëhet përpjekja e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.  Seanca konstituive, e ndërprerë të dielën do të vazhdojë në orën 10:00. Kjo do të jetë seanca e 15-të çdo 48 orë që nga 15 prilli. 

Edhe pse kërkesa e Vetëvendosjes për votim të fshehtë tashmë i ka shkuar Kushtetueses, Kuvendi ka njoftuar edhe zyrtarisht se sot do të vazhdojë seanca konstituive në orën 10:00.

Kësisoj, deputetët do ta bëjnë përpjekjen e pesëmbëdhjetë për konstituim. Por, njohësit e kushtetutshmërisë po konsiderojnë se përplasjet politike dhe përpjekjet për konstituim kanë sjellë diskutime të shumta juridike, sidomos rreth nenit 113 të Kushtetutës dhe veprimeve të fundit në seancat parlamentare.

Neni 113 i Kushtetutës së Kosovës u jep të drejtë së paku dhjetë deputetëve që brenda 8 ditëve pas marrjes së një vendimi në Kuvend, qoftë ligj, akt tjetër juridik apo procedurë, ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kësaj gjykate sot i ka shkuar një kërkesë e tillë, ajo për votimin e fshehtë për kryeparlamentar duke qenë në procedurë të votimit.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se sipas interpretimeve të mëhershme të vetë gjykatës, termi “vendim” nuk nënkupton vetëm një akt të shkruar apo të miratuar formalisht, por edhe çdo veprim i Kuvendit që prodhon pasoja juridike.

“Gjykata Kushtetuese ka afat prej 60 ditësh për të vendosur nëse kërkesa është e pranueshme dhe e bazuar, e nëse ka pasur shkelje të Kushtetutës ose jo,” thotë Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI.

Ndërkaq, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se pa një vendim të miratuar nga Kuvendi, nuk mund të flitet për shkelje formale të Kushtetutës dhe rrjedhimisht, nuk ka asnjë dëm të parashikueshëm që do të justifikonte ndërhyrje të menjëhershme nga gjykata.

“Vendimi për një komision ad-hoc nuk është miratuar ende, prandaj nuk ka bazë për ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese me masë të përkohshme,” tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IDK.

Nga ana tjetër, analistët politikë vlerësojnë se zhbllokimi i Kuvendit nuk mund të arrihet vetëm me interpretime juridike, por përmes vullnetit të partive politike për kompromis dhe marrëveshje.

“Kuvendi nuk mund të zhbllokohet pa një vullnet politik të qartë. Fituesi i zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë, por partitë e tjera kanë të drejtën të votojnë sipas bindjes së tyre,” tha Dorajet Imeri, analist.

“Zgjidhja është politike. Por, duket se nuk ka gatishmëri për kompromis nga ish-partia në pushtet. Kjo mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja,” thotë Blerim Canaj, analist politik.

Njohësit e çështjeve kushtetuese dhe politike theksojnë se Kuvendi shpesh përfundon në një situatë bllokade ku zgjidhjet politike mungojnë, duke e lënë Gjykatën Kushtetuese si instancën e fundit për interpretim dhe dalje nga kriza.