Presidentja Vjosa Osmani po planifikon që të enjten t’i pres drejtuesit e partive politike në dy grupe.
Osmani po planifikon që në një takim të përbashkët t’i pres kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, atë të PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinajn e AAK-së.
Raportohet se Osmani i ka thirrur në një takim të ndarë edhe përfaqësuesit e partive minoritare.
Deri më tani ftesës së Presidentes Osmani i janë përgjigjur pozitivisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kurse nga Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim.
Se Partia Demokratike e Kosovës, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani me krerët e partive politike në vend, në tentim për të gjetur një zgjidhje për dalje nga kriza institucionale e ka konfirmuar zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
Memli Krasniqi merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani
“Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë.”, ka thënë Avdullahu.
Edhë zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli ka thënë se do të marrin pjesë në takim.
“Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, tha Xhemaili për Reporteri.net.
Sot presidentja, Vjosa Osmani ka ftuar për takim konsultativ të enjten, më 15 maj, krerët e partive politike.
Lajmin e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Ai tha se takimi është thirrur për në ora 13:00.
Rama drejt mandatit të katërt, PS kryeson zgjedhjet me 83 mandate