Trendafilova sot vjen në Kosovë, të martën mban konferencë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, sot nis vizitën në Kosovë.

Gjatë vizitës së saj dyditore në Kosovë, ajo pritet të mbajë dhe konferencë për media, transmeton Klankosova.tv.

Për herë të fundit, Trendafilova qëndroi në vendin tonë në tetor të vitit të kaluar.

Por për vizitën e saj në Kosovë, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke thënë se kjo vizitë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës së tyre çlirimtare, transmeton Klankosova.tv.

“Vizita e Kryetares së Gjykatës Speciale më 13 maj në Prishtinë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës sonë çlirimtare!”, kanë shkruar nga OVL-ja e UÇK-së.

“13 Maji është datë e zezë në historinë tonë, themelimi i UDB-së, përndjekësi më i egër i shqiptarëve, dhe dita e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Të vish në këtë datë, në këtë tokë, me agjendë të njëanshme e pa ndjeshmëri historike, është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo Familje Dëshmori”.

“Gjykata Speciale është padrejtësi e institucionalizuar. E themeluar për të ndjekur vetëm një palë,vetëm UÇK-në,duke anashkaluar krimet e tmerrshme serbe, ajo nuk sjell drejtësi, por hakmarrje politike. Krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim të zgjatur dhe të padrejtë, po përballen me pengesa të rënda në mbrojtje, trajtim të pabarabartë dhe qëllim të qartë për t’i dënuar që më parë se të mbarojë procesi. Kosova nuk ka për çka të turpërohet! Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme. Ne nuk do të heshtim! Liri për luftëtarët tanë!”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.