Gashi (KQZ në Kosovë): Po monitorojmë procesin e votimit në Shqipëri, ka një frymë të qetë

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë, ka folur për procesin zgjedhor që është duke u zhvilluar në Shqipëri.

Në “Shqipëria voton” të Klan Kosovës, ai ka theksuar se atje është një proces i qetë deri tani.

“Ne kemi ardhur me disa kolegë nga KQZ-ja për të vëzhguar se si po shkon procesi zgjedhor në Shqipëri. Deri më tani që nga hapja, pasi kemi marrë pjesë në disa vendvotime në Tiranë dhe në Durrës, duket se gjithçka po shkon qetë dhe në formë demokratike”.

“Ajo çka vlen të theksohet është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur një standard bukur të lartë të menaxhimit të procesit zgjedhor, po flasim nga administrimi i procesit. Kështu që deri më tash ka një frymë të qetë, një përgatitje e mirë e administrimit të procesit dhe shohim si do të rrjedhin votimet”, ka thënë Gashi.