Vizita e Costas në Serbi, sipas Terras, do të jap sinjalin se BE-ja e aprovon sjelljen e dënueshme të Vuçiçit.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, së bashku edhe me disa eurodeputetë të tjerë të Parlamentit Evropian, nëpërmjet një letre të drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, kanë kërkuar që ky i fundit ta anulojë vizitën në Serbi më 13 maj në kuadër të një turne në Ballkanin Perëndimor.
Marrë parasysh vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Rusi dhe takimin atje me presidentin rus, Vladimir Putin, Terras ka vlerësuar se vizita e Costas në Beograd javën tjetër do të ishte “shumë problematik”.
“Në botën e diplomacisë, këto lloj vizitash nuk janë aspak një formalitet i thjeshtë. Ato janë akte mbështetjeje. Prandaj, pjesëmarrja e Presidentit Vuçiç përbën mbështetje për krimet e luftës të kryera nga Putini dhe ushtria ruse. Kjo përforcohet më tej nga fakti që liderët e tjerë botërorë që morën pjesë në këtë ngjarje vijnë kryesisht nga regjime autokratike dhe shtypëse”, ka argumentuar Terras në letër.
Kjo sjellje e Vuçiçit, sipas Terras, duhet të dënohet me fjalët më të ashpra, pasi bie ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Vizita juaj në Serbi do të kishte efektin e kundërt, duke dhënë sinjalin se BE-ja e aprovon sjelljen e dënueshme të Vuçiçit. Si President i Këshillit Evropian, nuk duhet të jepni mbështetje apo aprovim për dikë që mbështet një kriminel lufte. Vizita juaj në Serbi do të kishte pikërisht këtë efekt, pasi do të perceptohej si një demonstrim mbështetjeje për Vuçiç. Prandaj, ju bëjmë thirrje që ta anuloni vizitën tuaj në Serbi”.