“Alo, buxheti”, Komuna e Prishtinës shpenzon mbi 13 mijë euro për telefona mobil në vetëm një muaj

Transparenca financiare dhe menaxhimi i kujdesshëm i parasë publike janë fjalë që dëgjohen shpesh nga zyrtarët publikë, por rrallëherë i shohim në praktikë, sidomos kur vjen puna te telefonat mobilë. Në Komunën e Prishtinës, duket se telefonët nuk ndalen asnjë sekondë, madje as kur qytetarët presin ndonjë përgjigje për ndonjë kërkesë të zakonshme. Sepse, siç tregojnë shpenzimet mujore, qeverisja e Përparim Ramës ka shumë për të thënë dhe për të dëgjuar në linjat telefonike.

Sipas raportit të shpenzimeve për muajin prill 2025, të siguruar nga Demokracia.com, vetëm për telefoninë mobile janë harxhuar rreth 13 mijë euro. Dhe kur kësaj i shtohen edhe rreth 4 mijë euro për telefoninë kabllore, atëherë mund të thuhet se Komuna e Prishtinës po funksionon si një “call center” luksoz me financim nga taksapaguesit.

Jo e gjithë Komuna e Prishtinës e ka këtë luks telefonik. Ky privilegj u është rezervuar vetëm disa zyrtarëve të përzgjedhur: kabinetit të kryetarit Përparim Rama dhe disa drejtorëve e udhëheqësve të tjerë me “prioritete të veçanta komunikimi”. Pjesa tjetër e administratës, përfshirë punonjësit në terren apo ata që merrem me punë konkrete për qytetarët, duhet të mjaftohen me sinjalin e dobët dhe ndonjë e-mail, por një pjesë e tyre e kanë në dispozicion edhe telefonin kabllor.

Shifrat nga raporti i prillit:

  • Drejtoria e Administratës ka shpenzuar 12,805.08 euro vetëm për telefoninë mobile.

  • ZKK ka kontribuar me një 988.56 euro të tjera.

  • Drejtoria e Shëndetësisë ka shtuar një 158.96 euro.

  • Për telefoninë kabllore, një pagesë tjetër nga Drejtoria e Administratës ka kapur shumën 3,243.37 euro;

  • Dhe më në fund, edhe Shëndetësia nuk ka mbetur pas, 655.68 euro të tjera për “lidhje” më të qëndrueshme.

Pra, në vend që të diskutohet për investime në infrastrukturë, arsim apo shërbime shëndetësore, Komuna e Prishtinës ka zgjedhur të flasë përmes telefonit. Dhe siç duket, këto biseda po kushtojnë shumë. /Demokracia.com/