Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar edhe në seancën e sotme që të ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në të fshehtë. Partitë sërish janë deklaruar kundër dhe nuk kanë propozuar anëtarë për Komision. Në sallë ishin 113 deputetë.
Edhe në seancën e 13-të, ka dështuar konstituimi i Kuvendit.
Edhe sot, nuk ka pasur korum për votimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Hykmete Bajrami nuk u lejua ta thotë fjalën e saj në foltore, teksa kryesuesi Dehari ia ndali fjalën.
Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se do ta dërgojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese.
Në katër përpjekjet e fundit për të konstituimin e Kuvendit, LVV-ja ka ndryshuar strategji.
Në këto seancat, kryesuesi Avni Dehari nuk po e hedh në votim kandidaten e VV-së për kryetare, Albulena Haxhiu, por po insiston në formimin e komisionit për zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë.
Kjo mënyrë e votimit po kundërshtohet nga PDK, LDK dhe AAK.
Meqenëse VV-ja as për këtë komision nuk po arrin t`i marrë votat e nevojshme, pas dështimit të votimit, kryesuesi po e mbyll seancën.
Një veprim i tillë po kritikohet nga partitë e deridjeshme opozitare, duke thënë se kryesuesi po e shkel skenarin e përgatitur nga sekretaria e Kuvendit.
Pavarësisht dështimeve të një pas njëshme, partitë politike kanë bërë me dije se nuk do të ndryshojnë qëndrim as një në seancën e sotme.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se kjo parti nuk do të votojë për kryetar të Kuvendit asnjë deputet të VV-së që ka qenë ministër në Qeverinë Kurti II.
Ajo ka deklaruar se ky është qëndrim i prerë i PDK-së.
Në një intervistë në emisionin “Rubikon”, ajo ka thënë se këtë gjë Memli Krasniqi ia ka thënë në takim edhe Albin Kurtit.
“Arsyeja e vërtetë, së paku për Partinë Demokratike të Kosovës, nuk është subjektive, ne e kemi një qëndrim parimor: ne nuk votojmë për asnjë ministër i cili ka shërbyer në kabinetin e Kurti II. Këtë ia kemi thënë edhe në takim, ia ka thënë shumë qartë kryetari Memli Krasniqi Albin Kurtit në takim”, ka thënë ajo.
Sipas tij, kryetari i VV-së nuk do partneritet, por nënshtrim.
“Për më tepër që kemi pasur deklarime publike, së paku nga një subjekt politik i cili ka shkuar aq larg sa që ka dhënë emra të cilët do të mund te votoheshin nga deputetët e tyre. Këtu thjesht kemi të bëjmë me një kryeneçësi sepse për Kurtin dialogu, bashkëpunimi, kompromisi nuk shihen si instrumente të domosdoshme në politikë, Kurti don nënshtrim”, ka thënë Çitaku.
Edhe LDK-ja ka bërë me dije se nuk do të votojë asnjë kandidat të VV-së për kryetar të Kuvendit.
Kurse, AAK-ja ka treguar disa emra të deputetëve të VV-së që do të mund t`i votojë për kryetare të Kuvendit.
Hasani tregon rrugëdaljen
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka treguar se si mund të dilet nga situata aktuale.
Nëse nuk ka vullnet politik për tejkalimin e këtij ngërçi, ai ka thënë se zgjidhja duhet kërkuar në Kushtetuese.
Sipas tij, në Kushtetuese mund të dërgohen çdo votim që bëhet në Kuvend.
“Këta po mendojnë se vetëm vendimi formal mund të dërgohet në Kushtetuese, por jo. Vendim është çdo votim i kuvendit “për”, kundër apo abstenim. Të gjitha ato janë vendime. Për të gjitha ato çdoherë ec afati 8 ditor prej ditës kur merret. Sepse ai është vendim për të cilin votohet. Dhe tash këtu vendim për të cilin votohet është refuzues deputete me plotë të drejt nuk dojnë me marrë pjesë në kasosin që ka krijua z. Dehari”, ka thënë ai në një intervistë për Euro Neës Albania.
Ai ka treguar se çështjen në Kushtetuese mund ta dërgojë presidentja, Avokati i Popullit apo disa deputetë.
Hasani ka treguar se si mund të kthehet në binar seanca konstituive.
Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm nëse veprohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Me e kthy çështjen në agjendës siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. E ajo agjendë është caktuar me 8 prill. Me e caktu një kandidat, pra zonjën Haxhi, nëse disa herë nuk zgjidhet, me i mbledh vendimet dhe me e adresu çështjen në Gjykatë Kushtetuese, nëse nuk ka vullnet politike. Këtu dy rrugë janë, ose vullneti politik ose Gjykata Kushtetuese. Nuk mund ta zgjedh askush tjetër”, ka thënë ai.