Leo tani është i barabartë me Klementin, si emri i katërt më i zakonshëm që është zgjedhur nga Papët. Vetëm Gjoni, Gregori dhe Benedikti janë më të përdorur.
Por, nuk kemi pasur një Papë me emrin Leo për më shumë se një shekull, shkruan cnn.
Papa i fundit Leo ishte Leo XIII, i cili lindi në Romën e pushtuar nga francezët në vitin 1810. Ai shërbeu si Papë nga viti 1878 deri sa ka ndërruar jetë në vitin 1903, duke e bërë papatin 25-vjeçar të katërtin më të gjatë në historinë e kishës.
Leo XIII kujtohet si një Papë i mësimeve sociale katolike. Në vitin 1891, ai shkroi një letër të hapur të famshme, ku reflektonte mbi ndryshimet teknologjike të sjella nga Revolucioni Industrial dhe ndikimin e tyre mbi punëtorët.
Duke zgjedhur të ringjallë këtë emër, Leo XIV mund të jetë duke sinjalizuar prioritetet e papatit të tij.
Papa i parë Leo, i cili shërbeu në shekullin e V-të, është i njohur si “Leoni i Madh” dhe kujtohet për bindjen që i bëri Atilës së Hunëve për të ndaluar pushtimin dhe për të kursyer Perandorinë Romake nga shkatërrimi.
Takimi i tyre është përjetësuar në një pikturë nga Rafaeli, e cila sot qëndron në Pallatin Apostolik të Vatikanit.
Përmes këtij pallati kaluan 133 kardinalët votues – përfshirë Robert Prevost-in, tani Leo XIV – ndërsa hynin në Kapelën Sistine të mërkurën për fillimin e konklaves.
Emri Leo rrjedh nga latinishtja dhe do të thotë “luan”, duke sugjeruar forcë dhe guxim.