Gjobitet një qytetar për vozitje të rrezikshme me motoçikletë në Studenicë të Istogut

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj një qytetari i cili është kapur duke kryer veprime të rrezikshme në komunikacion me një motoçikletë, në rrugët e fshatit Studenicë të Komunës së Istogut.

Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, rasti është inicuar pas pranimit të materialeve filmike (foto dhe video) nga një qytetar, që dokumentojnë momentin kur i dyshuari po drejtonte motoçikletën në mënyrë të rrezikshme – përfshirë ngasjen vetëm në një rrotë dhe manovra të tjera të cilat paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e tij dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Njësia e Komunikacionit Rrugor e DRP-së në Pejë ka arritur të identifikojë shkelësin dhe ka shqiptuar ndaj tij një gjobë konform dispozitave ligjore për kundërvajtje në komunikacion.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin që ka raportuar rastin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në rritjen e sigurisë në rrugë. Ajo njëherësh ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe normat ligjore, me qëllim të garantimit të sigurisë për të gjithë.