Inspektorati Policor po mbledhë informacione për dyshimet se hetuesi policor përfitoi grant 60 mijë euro nga ministria e Pecit

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është vazhdimisht i përmendur- por jo për ndonjë projekt madhor sa i përket zhvillimit të bujqësisë apo anasjelltas.

Në fakt Peci përmendet vazhdimisht për disa grante që janë dhënë tek familjarët, tek miqtë, e tek familjarët e miqve përmes ministrisë të cilën ai drejton.

Duke shkuar edhe më tej, së fundi në media është publikuar edhe një tjetër shkelje që raportohet të jetë bërë në mes tij dhe një zyrtari policor.

Lirim Mehmetaj raportoi se në bazë të dokumentacioneve që ka sigurair, zyrtari policor (hetues) në kuadër të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Rrahman Përçuku ishte përfiues i një granti të dhënë në vitin 2022 nga ministria e drejtuar nga Faton Peci.

“Hetuesi që ka pas me hetu Faton Pecin te krimet ekonomike për aferën e fundit, por edhe aferat e tjera përfshirë këtë për funksionalizimin e fabrikës për grumbullimit të nënprodukteve shtazore ka dalë që është përfitues i subvencioneve nga Faton Peci”, pretendon Mehmetaj.

Madje në bazë të dokumentacioneve kuptohet se granti u morë në emër të Halim Përçukut – si investime në turizëm rural apo bujtina.

Në Vushtrri, Mitrovicë ku shuma e përfituar ishte 100 mijë, e vlera e përkrahur ishte saktësisht 60 mijë euro.

E në lidhje me dyshimet për përfshirje të zyrtarit policor Përçuku në përfitimin e granteve lajmi.net ka kontaktuar Inspektoratin Policor të Kosovës.

IPK ka njoftuar se është filluar procesi i grumbullimit të informacioneve të verifikimit të tyre.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se sipas detyrës zyrtare ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe verifikimit të tyre, veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në të gjeturat dhe autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor”,thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Zyrtari policor i cili ishte caktuar në fakt për të hetuar një rast tjetër që kishte të bënte me Pecin e raste të tjera hetimore në kuadër të Krimeve Ekonomike duket se tashmë ka vendosur që të bëhet përfitues.

Në lidhej me këtë situatë të krijuar, lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria e Shtetit, por këta të fundit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit.

Madje sipas Mehmetajt, Përçuku e kishte lajmëruar Pecin edhe në lidhje me deklarimin që ky i fundit kishte bërë në stacion policor.

Krejt kjo përfshirje e Përçukut në këtë situatë e bën edhe më të vështirë besueshmërinë e krijuar tek qytetarët në Policinë e Kosovës- për të raportuar e hetuar raste të ndryshme korruptive të cilat ndodhin ën vendin tonë./Lajmi.net/