“Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale – Ambasada britanike thotë që udhëheqësit politik duhet të punojnë bashkë

Nesër bëhen tre muaj prej kur qytetarët e Kosovës, përmes votës së tyre kanë zgjedhur atë që duan të udhëheq shtetin si dhe deputetët që do t’i përfaqësojnë ata në Kuvendin e Kosovës.

Tre muaj pas, institucionet kryesore në Kosovë mbeten të paformuara e ndër to edhe Kuvendi i Kosovës, shkruan lajmi.net.

Ndonëse janë mbajtur plot 12 seanca konstituive të Kuvendit të Kosovës, që nga 15 prilli, Kryetari i Kuvendit nuk është votuar ende. Lëvizja Vetëvendosje pas seancës së betimit të deputetëve ka propozuar Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit, kjo pasi sipas tyre është gruaja më e votuar në vend dhe ka një përvojë disa vjeçare në punën e parlamentit. Por Haxhiu nuk u pranua dhe assesi nuk po shihet si meritore për postin e kryekuvendares, nga tri partitë tjera të mëdha në vend.

PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar në vazhdimësi se Albulena Haxhiu nuk do t’i marrë votat e tyre, kjo pasi sipas tyre ajo është “figurë përçarëse”.

Moskonstituimi i Kuvendit ka sjellë reagime edhe nga ndërkombëtarët si dhe “presion” për formimin e institucioneve.

Në lidhje me situatën e krijuar tashmë- Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka thënë për lajmi.net se Kosova ka nevoje urgjente për Kuvend dhe Qeveri funksionale.

Hargreaves ka thënë se udhëheqësit politik duhet të punojnë së bashku për interesa kombëtare.

“Më shumë se tre muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që udhëheqësit e tyre politikë të punojnë së bashku për interes kombëtar”, ka thënë Hargreaves për lajmi.net.

Në Kuvendin e Kosovës, nesër mbahet seanca e 13-të konstituive, ku situata pritet të jetë e njëjtë, pra të votohet fillimisht komisioni për votimin e fshehtë e pastaj edhe kandidatja e VV-së për Kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila në secilën herë që është vendosur në votim ka arritur të mbledh më së shumti 57 vota pro.

Disa herë radhazi Haxhiu mori 57 vota për, kurse në tentimin e fundit për ta votuar emrin e saj mori vetëm 54 vota- pak dhe larg nga numri i votave që i duhet për t’u zgjedhur.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje të hënën me 5 maj, i ka bërë ftesë për koalicion kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në ftesën e tij publike, Kurti kishte ndryshuar krejtësisht qasjen ndaj Abdixhikut dhe LDK-së. Madje ai shprehej se koalicioni VV-LDK duhet të ndodhë tani, ose pas zgjedhjeve të reja duke pamundësuar çdo përgjigje tjetër (negative).

Por ndryshe mendoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pas diskutimeve që pati me kryesinë e partisë, Abdixhiku një ditë pas në konferencë për media refuzoi hapur propozimin për koalicion vetë me Vetëvendosjen.

Duke i kthyer përgjigje Kurtit, Abdixhiku ka propozuar një Qeveri nacionzle të tranzicionit të partive shqiptare duke përfshirë këtu katër partitë e mëdha në vend (LVV, PDK, LDK, AAK), propozim ky që u komentua shumë.

Nga PDK, dje janë deklaruar se janë të hapur për konsultime por që nuk bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, e njëjtë është shprehur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka vazhduar të pohoj se është pro një Qeverie të opozitës por që nuk pranon të marr pjesë as në takime konsultative ku është Lëvizja Vetëvendosje.

E kundër deklarimit dhe propozimit të Abdixhikut dolën zyrtarët e VV-së. Anipse Kurti nuk foli hapur, deputeti Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu deklaruan se janë kundër një propozimi të tillë.

Madje Haxhiu tha se LDK po tenton ta “zhdukë” faktin se Albin Kurti dhe Vetëvendosje ishin më të votuarit nga zgjedhjet e para tre muajve- jo para tri viteve.

Kurse Hekuran Murati nga kjo parti deklaroi se propozimi i Lumir Abdixhikut tenton ta kthejë Kosovën në “kohën e UNMIK-ut”.

Seanca e 13-të konsultative mbahet nesër me 9 maj 2025 nga ora 10:00, dhe nëse do të votohet kryekuvendarja hapet rruga për formimin e Qeverisë.

Vetëvendosje po vazhdon ta përdorë të drejtën për propozim si parti e parë e dalë nga zgjedhjet, derisa nga partitë e tjera kërkohet që të hapet rrugë e t’i jepet zgjidhje kësaj situate./Lajmi.net/