Kurti bën akrobaci me Kuvendin, nuk e shfrytëzon marrëzinë e Vuçiqit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka ngurruar të marrë pjesë në dymbëdhjetë seanca farsë për gjoja themelimin e legjislaturës së re. Në kohën kur Serbia është në fije të perit, duke e vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në BE, qeveria në detyrë dhe diplomacia e Kosovës nuk duket se po e kapitalizon këtë theqafje të Beogradit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq po qëndron në Moskë, dhe agjenda e tij atje parasheh takime me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez, Xi Jinping. Me sa duket, pozicioni negocial i Kosovës është praktikisht i vogël, meqë vendi përballet me sanksione të dyfishta që prej qershorit të vitit 2023.

Col Mehmeti

8 maj 2025 – Udhëtimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiq drejt Moskës mund të ketë një kosto të lartë për Serbinë.

Pavarësisht vërejtjeve nga nivelet më të larta të BE-së kundër pjesëmarrjes në Moskë, aty ku më 9 maj pritet të mbahen ceremoni e rituale shtetërore për të ashtuquajturën Paradë të Fitores, kreu i shtetit serb do të jetë vetëm njëri nga njëzet e nëntë liderët nga mbarë bota që i bëjnë temena Putinit.

Deri më tani, nivelet e larta shtetërore në Kosovë ende nuk e kanë shfrytëzuar këtë momentum të volitshëm gjeopolitik për të alarmuar Perëndimin për fqinjin problematik.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka bëzajtur për këtë vizitë – reagime nuk janë lëshuar as në emër të Zyrës së Kryeministrit apo Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Reagimi i hasretit është ai nga Presidenca e Republikës së Kosovës, por i bërë vetëm nga kapaciteti i këshilltarit të presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

Sipas tij, një vizitë e tillë tregon se Vuçiqi po i vazhdon veprimet destablizuese me bekimin e Moskës.

“Vizita e ish-ministrit të Millosheviqit Vuçiq në Moskë, konfirmon jo vetëm afërsinë ideologjike të tij me një regjim autokratik e agresor si ai i Putinit, por edhe orientimin e Serbisë kundër vlerave dhe parimeve euro-atlantike. Po ashtu, është tregues se Vuçiqi do të vazhdojë veprimet destabilizuese kundër rajonit tonë, me bekimin e Moskës”, ka thënë Kupina për agjencinë e lajmeve Kosova Press.

Fluturimi që u sfidua dhe sfidoi Perëndimin

Mbërritja e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pasditën e djeshme ishte një histori në vete.

Duke qenë se tri vendet e Baltikut kanë pezulluar fluturimet në hapësirat e tyre ajrore, ai është detyruar të fluturojë nga Bullgaria e Turqia, duke bërë një aterim emergjent në aeroportin e Bakisë në Azerbejxhan.

Rezistenca ukrainase dhe kundërsulmi i saj me dronë mbi Moskën ka bërë që shumica e aeroporteve në kryeqytetin rus të mbyllen gjatë të mërkurës – kështu Vuçiqi arriti të ‘përbirohet’ vetëm përmes aeroportit të Vnukovos, aty ku u prit nga zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Aleksandar Gruško.

Sipas tabloidit serb Novosti, duke u mbështetur në informacione jozyrtare, aeroplanit të Vuçiqit i ishte ndaluar fluturimi mbi Lituani dhe Latvi.

Autoritetet latviane nuk i dhanë atij leje diplomatike për shkak të “ndjeshmërisë politike”, citojnë mediet serbe burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti.

Vuçiq: Pasojat do t’i vuajë unë

Në vigjilje të takimit me presidentin rus Vladimir Putin, i paraparë të mbahet të premten më 9 maj, ashtu sikurse edhe një tjetër me presidentin kinez Xi Jinping, presidenti serb është kapur si zakonisht pas kartës së tij viktimizuese.

Ndërsa ka pohuar se “Serbia do të mbetet në rrugën evropiane”, ai ka thënë se pasojat do t’i vuajë ai dhe jo Serbia.

“Do të ketë konsekuenca, por për mua personalisht, unë do t’i vuaj fyerjet më të neveritshme siç i kam vuajtur prej muajsh”, ka thënë Vuçiq.

“Nëse do ta ndëshkojnë dikë, ata do të më ndëshkojnë mua.”

Ai citohet të ketë thënë se për vizitën e paralajmëruar në Rusi ka komunikuar me zyrtarë perëndimorë, si presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Komisioneren evropiane për Zgjerim Marta Cos, si dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

‘Aventura’ moskovite – fund i rrugëtimit drejt BE-së

Në anën tjetër, veprimi i Vuçiqit është komentuar edhe brenda Serbisë te ato pak media që bëjnë opozitarizëm ndaj regjimit të tij.

‘Aventura’ moskovite e Vuçiqit mund të nënkuptojë edhe pezullimin e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në BE.

Edhe e përditshmja serbe ‘Danas’, duke u mbështetur në deklarimet e plot bashkëbiseduesve, ka shkruar se politikës me dy karrige i ka ardhur fundi.

Zëvendëspresidenti i Qendrës së Serbisë, Dushko Lopandiq ka thënë se stafi i Vuçiqit ishte në dijeni të përpjekjeve për parandalimin e vizitës së tij, por ata deshën që t’ia krijonin imazhin e dikujt që ia del mbanë pavarësisht pengesave.

“Ishte përpjekje për ta restaruar aurën e luftëtarit mes mbështetësve të tij pas debaklit që pati si një fillestar në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.

Drama fillon pas 9 majit

Sipas disa analistëve serbë, pak dramë pati para vizitës së Vuçiqit në Moskë, porse drama e madhe do të pasojë vetëm pas përfundimit të Ditës së Fitores.

“Asgjë e mirë nuk do të vijë nga kjo. Do të shohim që do të ndalojnë të gjitha paratë për Serbinë që vijnë nga Brukseli. Ashiqare, pati plot paralajmërime të cilat Beogradi i shpërfilli”, ka thënë ish-diplomati, Sreqko Gjukiq.

Ai ka shtuar se kjo përfaqëson fundin e integrimit evropian, porse mbetet të shihet si do të veprojë Brukseli, teksa ka porositur që të mos harrohet se Serbia është borxhlike për shfrytëzimin ndër vite të burimeve evropiane dhe regjimit pa viza.

“Dikush do të paguajë për këtë. Nëse Brukseli ishte i butë kundrejt dikujt, atëherë ai ishte ndaj Serbisë. Çfarë po bën Serbia dhe Vuçiqi për Rusinë dhe Putinin, ata kurrë nuk do ta bënin për ne”, ka vijuar Gjukiq.

BE paralajmëroi…

Prej javësh, Bashkimi Evropian iu ka kërkuar presidentëve të vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së, përfshirë edhe Vuçiqin, që të respektojnë politikën e jashtme të bllokut dhe të bojkotojnë shënimet zyrtare ruse për Luftën e Dytë Botërore si protestë ndaj invazionit mbi Ukrainën.

Edhe në raportin e sivjetmë të Parlamentit Evropian për Serbinë janë vënë në pah shumë probleme, mes të cilave edhe mospërputhja me politikën e jashtme të BE-së.

Sipas raportit, marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë ngrenë shqetësime për orientimin e saj strategjik.

Për këtë arsye është kërkuar nga BE-ja që ta rishqyrtojë shtrirjen e mbështetjes financiare për Serbinë nëse vendi vazhdon të mbështesë ideologji antidemokratike dhe nuk iu bashkohet sanksioneve evropiane dhe politikës së përbashkët të sigurisë.

“Për një kohë tepër të gjatë, Serbia është përpjekur të marrë më të mirën e fondeve të BE-së derisa ka anashkaluar vlerat tona themelore dhe orientimin tonë gjeopolitik. Procesi i zgjerimit është i mbështetur në merita, dhe përparimi i Serbisë mund të ketë ndikim pozitiv në rajon”, është thënë në këtë raport.

Vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, gjer në momentet e fundit e ka testuar diplomatikisht Perëndimin.

Fillimisht, ai e kishte dërguar në Moskë patriarkun Porfir, gjë që ishte vlerësuar nga njohës të ndryshëm si një mënyrë tacite për ta arsyetuar mospraninë e tij në Moskë, porse mbërritja e sotme në kryeqytetin rus duket se e përforcon bindjen që Serbia nuk e këmben për asgjë lidhjen me Rusinë. /Nacionale/