Vlerësohet puna e institucioneve në arrestimi e të dyshuarve për spiunazh

Me duar të lidhura u soll në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Hysri Selimi u arrestua të martën pas hetimeve disa mujore nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, nën dyshimin për veprën penale “Spiunazhi”.

Ndaj tij, Prokuroria Speciale kërkoi caktimin e masës së paraburgimit në shqyrtimin fillestar gjyqësor.

E pas seancës, Gjykata njoftoi se ndaj të njëjtit tashmë është caktuar kjo masë, në arsyetimin se i njëjti nëse lihet në liri mund t’i ikë procesit gjyqësor.

Por sa e rrezikojnë persona të tillë sigurinë kombëtare?

Ish-shefi i hetimeve në Policinë e Kosovës, Refki Morina vlerëson se këto arrestime janë dëshmi e profesionalizmit dhe efikasitetit të organeve të sigurisë në Kosovë.

“Është duke u kryer një punë e mirë dhe kjo punë duhet të vazhdojë me ritëm të caktuar dhe në bazë të informatave që janë edhe nga AKI-ja dhe informatave tjera persona të tillë në mënyrë që të mos ju mundësohet të qëndrojnë në Kosovë ose të zhvillojnë veprimtari kundër shtetit të Kosovës prandaj një veprimtari e tillë e AKI-së por edhe Policisë së Kosovës, Prokurorisë ka qenë dhe është e mirëseardhur”, thotë ai.

Sipas tij, duhet fokus më i madh në zbulimin sa më të hershëm të këtyre personave.

“Dhe në këtë mënyrë janë të rrezikshëm për shtetin tonë, për sistemin tonë shtetëror dhe rregullimin shoqëror të brendshëm të Kosovës dhe unë mendoj se duhet të infiltrohen personat e tillë në atë mënyrë që të kontrollohet puna dhe veprimtaria e tyre pa marrë parasysh se në çfarë institucionesh punojnë  dhe ndërlidhjet e tyre mos ndonjëri nga ta që bartë informacione shtetërorë në shtetin amë BIA- s serbe ose të shërbimit të Rusisë”, shprehet Morina.

Njëjtë mendon edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

“Duke pasur parasysh se çfarë rreziku i kanoset Republikës së Kosovës në aspektin e sigurisë kombëtare kundrejt këtyre personave që janë gjithmonë 24/7 në shtatë ditë të javës në dëm të Republikës së Kosovës, pra ndodhemi në luftën speciale prej atij shteti që na sulmoi në vitin 2023 dhe 2024 pa dyshim se ka copëza të atij shteti në Republikën e Kosovës, por organet tona të sigurisë e demonstrojnë qartë se ata njerëz nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, vlerëson ai.

Në fund të shkurtit, ishte arrestuar edhe një zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, nën dyshimin për veprën e njëjtë penale.