Foli hapur për shtatzëninë e dështuar, reagon e penduar Bebe Rexha: Ndava diçka thellësisht personale dhe jam e zhgënjyer me veten

Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka bërë një rrëfim prekës për ndjekësit e saj pas paraqitjes në Met Gala 2025, duke ndarë me publikun një dhimbje shumë personale që qëndronte pas buzëqeshjes dhe veshjes mahnitëse të asaj nate.

Pas eventit, Rexha u përball me një valë të kritikave në rrjetet sociale, ku u komentua ashpër për pamjen dhe peshën e saj, çka e shtyu artisten të bëjë një deklaratë të ndjeshme dhe të sinqertë në rrjetet sociale. Në një postim në Instagram Story, ajo shkroi:

“Unë ndava diçka thellësisht personale dhe, po, jam e zhgënjyer me veten që lejova ndjeshmërinë të më marrë përpara në një natë që duhej të ishte speciale. Jam gjithashtu e mërzitur që ndjeva nevojën të shpjegohesha fare. Por e di që të jesh transparent mund të ndihmojë dikë tjetër të ndihet i/e parë. Gjithmonë kam dashur të jem zë për gratë që përballen me të njëjtat gjëra”.

Foto: Bebe Rexha/InstaStory

Pak para këtij postimi, Rexha kishte reaguar edhe në Twitter/X, duke zbuluar se ajo ka kaluar një përvojë shumë të dhimbshme që e kishte mbajtur të heshtur: “Kam qenë shtatzënë, por nuk funksionoi dhe e mbaj këtë dhimbje në heshtje”.

Këngëtarja 35-vjeçare shtoi se vuajtja e saj vjen si pasojë e PCOS-it (Sindromës së Vezoreve Polikistike), një gjendje hormonale që ndikon jo vetëm në peshë, por edhe në fertilitet.

“Jam lodhur nga njerëzit që komentojnë peshën time”, shkroi ajo, duke e bërë të qartë se trupi i saj nuk është për diskutim publik dhe se përmes rrëfimit të saj, dëshiron t’u kujtojë të gjithëve që pas çdo imazhi në ekran, mund të fshihet një betejë e padukshme.

 

Komentet e saj erdhën edhe si reagim ndaj deklaratës së këngëtares Azealia Banks, e cila pretendoi publikisht se Rexha mund të ishte duke përdorur ndonjë trajtim hormonal. Rexha, pa hezituar, iu përgjigj me klas dhe vendosmëri, duke i thënë se ndoshta edhe Banks duhet të konsiderojë terapi, për t’u marrë më mirë me veten dhe të tjerët.

Për më tepër, Bebe Rexha ndau edhe një përvojë të mëparshme shëndetësore, duke treguar se në maj 2024 kishte përfunduar në urgjencë për shkak të një ciste të shpërthyer, të shkaktuar po nga PCOS-i. “Kam pasur të vjella dhe dhimbje të forta – doktori mendoi se ishte apandesit, por ishte një cistë”, kishte treguar ajo në një video në TikTok.

#BebeRexha details her experience with #PCOS after the singer was recently in the hospital for a burst cyst. (🎥: TT beberexha) #womenshealth #womenshealthawareness #pcosawareness ♬ original sound – E! Insider

 

Pavarësisht gjithë dhimbjes, presionit dhe kritikave, Bebe mbetet e palëkundur në misionin e saj për të qenë një zë i fortë për gratë që përballen me sfida të ngjashme. “Nuk bëhet fjalë për keqardhje, por për mirëkuptim. Të jemi më të butë me njëri-tjetrin”, përfundoi ajo.