Aksident mes dy kamionëve në rrugën për Carralevë, lëndohen dy shoferë – njëri prej tyre rëndë

Një aksident trafiku është raportuar këtë të hënë pasdite në rrugën që lidh Prizrenin me Carralevën, ku janë përfshirë dy automjete të rënda transportuese.

Lajmi është konfirmuar për Gazetën Express nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:20.

“Sot rreth orës 15:20 është raportuar një aksident trafiku në rrugën për në Carralevë. Në aksident janë të përfshirë dy kamionë. Nga aksidenti, përveç dëmeve materiale, të dy ngasësit kanë pësuar lëndime trupore, njëri nga ta lëndime të rënda,” deklaroi Bytyqi.

Ai shtoi se njësitë policore të Trafikut Rajonal në Prizren kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke menaxhuar situatën.