Carney takon Trump, ka shpresë për përmirësim raportesh

Carney ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër Trump, që kur mori detyrën nga paraardhësi i tij Justin Trudeau në mars.

Kryeministri i sapozgjedhur kanadez, Mark Carney, do të takohet sot me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë – vetëm një javë pas fitores në zgjedhjet federale.

Marrëdhëniet midis aleatëve dikur të ngushtë janë acaruar pas regjimit të ri tarifor të Trump, si dhe komenteve të tij të përsëritura për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-ve.

Carney ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër Trump, që kur mori detyrën nga paraardhësi i tij Justin Trudeau në mars dhe fushata e tij zgjedhore u përqendrua shumë në mbrojtjen e sovranitetit të Kanadasë.

Në një intervistë ekskluzive me BBC pas fitores së tij, Carney tha se vendi i tij meritonte respekt nga SHBA-të dhe do të hynte në bisedime tregtare dhe sigurie me Trump vetëm “me kushtet tona”.

Në një telefonatë pak më vonë, gjatë së cilës presidenti i SHBA-ve thuhet se e uroi Carney-n për fitoren e tij të fundit, dyshja ranë dakord të takohen së shpejti.

Kanadezët, të cilët i kanë kaluar muajt e fundit në ankth, do ta ndjekin nga afër takimin e sotëm.

Gjatë konferencës së tij të parë për shtyp pas zgjedhjeve javën e kaluar, kryeministri kanadez Mark Carney u pyet se si do ta shmangte një shkëmbim të nxehtë të ngjashëm me atë që përjetoi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Zyrën Ovale në shkurt.

“Unë shkoj atje me pritjen e diskutimeve të vështira, por konstruktive, kjo është fryma e bisedave që patëm unë dhe presidenti”, tha ai.