Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar një komunikatë për rastin e rëndë që ndodhi mëngjesin e së martës në Prizren.
Bazuar në hetimin fillestar, dyshohet se babai e ka privuar nga jeta vajzën e tij 15 vjeçare dhe ka therur me thikë vajzën tjetër 10 vjeçare dhe gruan.
Vajza dhe gruaja janë jashtë rrezikut për jetë.
Në komunikatë thuhet se në vendin e ngjarjes ka dalë kryeprokurori Petrit Kryeziu dhe bashkë me njësitet policore pritet të kryejnë procedurat hetimore në vendin e ngjarjes.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se sot, më datë 06.05.2025, rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se krimi ka ndodhur brenda rrethit familjar, ku i dyshuari – (shtetas turk), babai i vajzave, dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, vajza tjetër, rreth moshës 10-vjeçare, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë.
Nga pranimi i informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ndodhet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ku pritet që me njësitet relevante policore, së bashku me krim tekniken dhe zyrtarët e IML-së, të pëfundojnë procedurat hetimore në vendin e ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.