Ardi Mehmeti dhe Fation Alaj, dy zyrtarë të lartë të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), jo vetëm që ndajnë detyra publike brenda këtij institucioni, por janë bashkëpronarë dhe menaxherë në një kompani private, shkruan Demokracia.com.
Të dhënat e publikuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit tregojnë se Ardit Mehmeti dhe Fation Alaj janë të përfshirë në kompaninë AMFA L.L.C., e cila është e regjistruar më 6 shtator 2021 dhe merret me shërbime kontabiliteti, libërmbajtjeje, auditimi dhe këshillime tatimore, ndërsa si veprimtari sekondare ka të regjistruar edhe hulumtimin e tregut dhe matjen e opinionit publik.
Të dy posedojnë nga 50 për qind të aksioneve.
Sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Ardi Mehmeti figuron si “drejtor”, ndërsa Fation Alaj si “drejtor menaxhues” në AMFA L.L.C.
Kjo përfshirje aktive në një kompani private, ndërkohë që të dy mbajnë pozita kyçe brenda AQP-së, është në kundërshtim të mundshëm me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili përcakton qartë:
“Konflikti i interesit është një situatë në të cilën një zyrtar publik ka një interes privat, i cili ndikon në paanshmërinë e tij ose të saj dhe kryerjen objektive të detyrave zyrtare”.
Ligji gjithashtu e përshkruan si konflikt interesi rastin kur zyrtari publik “është gjithashtu menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i bordit të ndërmarrjes private”, apo “ofron trajtim favorizues ose informacion konfidencial gjatë kontraktimit të shërbimeve për përfitime personale”.
Pozitat brenda AQP-së
Fation Alaj është emëruar drejtor i Departamentit për Procedura të Veçanta në AQP më 30 janar 2024.
Ardi Mehmeti është udhëheqës sektori në Departamentin për Procedura të Centralizuara që nga viti 2018.
Pra, të dy janë pjesë integrale e strukturës që ka rol të drejtpërdrejtë në proceset e ndjeshme të prokurimit publik në nivel qendror.
Të dy zyrtarët e kanë deklaruar përfshirjen e tyre në këtë kompani private. Në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2024:
Alaj ka raportuar të hyra nga AMFA L.L.C. në vlerë prej 2,700 euro, të cilat i ka marrë cash.
Mehmeti ka raportuar po të njëjtën shumë (2,700 euro), por të realizuar përmes bankës.
Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), siç përcaktohet në nenin 94 dhe 95 të Ligjit për Prokurimin Publik (Nr. 04/L-042), është përgjegjëse për zhvillimin e prokurimeve të përbashkëta dhe për kryerjen e procedurave të prokurimit në emër të autoriteteve kontraktuese në nivel nacional. Në një institucion me përgjegjësi të tillë për menaxhimin e miliona eurove të parasë publike, çdo përfshirje e zyrtarëve në biznese private mund të ndikojë në paanshmërinë dhe objektivitetin e vendimmarrjes.
Duke pasur parasysh rolet e tyre të dyfishta si zyrtarë të lartë në AQP dhe njëkohësisht menaxhues në një kompani private është e nevojshme që institucionet mbikëqyrëse, përfshirë Agjencinë Kundër Korrupsionit, të verifikojnë nëse kjo përfshirje përbën shkelje të ligjit dhe të ndërmarrin veprimet përkatëse. /Demokracia.com/