Sa para mund të fitojë Drita nga garat evropiane – minimumi dhe maksimumi nëse arrihet Ballkani dhe grupet e Ligës së Konferencës

Drita është kampione e Kosovës për edicionin 2024/25 në Albi Mall Superligë dhe do ta përfaqësojë vendin në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Gjilanasit siguruan matematikisht titullin katër xhiro para fundit të sezonit, duke grumbulluar 69 pikë — pra 12 më shumë se Ballkani i vendit të dytë.

Si kampionë të Kosovës, Drita do të jetë skuadra e vetme kosovare që do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, duke nisur nga raundi i parë.

Bazuar në përvojën e Ballkanit sezonin e kaluar, Drita minimalisht mund të sigurojë rreth 1.335.000 euro nga shpërblimet e UEFA-s edhe në rast të eliminimit të hershëm.

Objektivi i klubit është të bëhet ekipi i parë nga Kosova që kalon një raund në Ligën e Kampionëve, gjë që do t’i siguronte kalimin në raundet pasuese të Ligës së Konferencës, ku në rast kualifikimi në fazën e grupeve, fitohen edhe 2.940.000 euro të tjera.

Çdo fitore në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës vlen 500.000 euro, ndërsa një barazim 166.000 euro.

Drita është klubi kosovar me më së shumti paraqitje në garat evropiane — gjashtë herë deri tani, ndërsa me këtë pjesëmarrje të ardhshme do të bëhen shtatë.