Edicioni i 15-të i festivalit ndërkombëtar “Chopin Piano Fest Prishtina” pritet të fillojë më 8 maj 2025, duke sjellë për publikun kosovar një përvojë unike muzikore.
Koncerti hapës do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës, në orën 20:00, ku do të interpretojë pianistja e njohur nga Polonia, Maria Ludwika Gabryś-Heyke.
Organizatorët kanë paralajmëruar një program të pasur dhe të larmishëm, që përfshin vepra nga repertori klasik dhe bashkëkohor.
Gjatë këtij edicioni, në skenën e festivalit do të performojnë mbi 25 artistë nga vende të ndryshme, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Francën, Austrinë, Lituaninë, Rumaninë, Italinë, SHBA-në dhe Kubën.
Në kuadër të festivalit do të mbahen gjithsej 15 koncerte, ndër të cilat edhe bashkëpunimi tradicional me Filharmoninë e Kosovës, nën dirigjimin e Peter Valentovich dhe me soliste pianisten e mirënjohur Sofya Gulyak.
Festivali do të mbyllet më 9 maj 2025 me performancën e pianistit të shquar britanik, Peter Donohoe.
Të gjitha koncertet, përveç atij me Filharmoninë e Kosovës, do të zhvillohen në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare. Koncerti me Filharmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.