Irani zbulon raketën e re balistike

Ministri i mbrojtjes i Iranit paralajmëroi të dielën se Teherani do të hakmerret ndaj çdo veprimi ushtarak amerikan duke synuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme.

“Nëse sulmohemi – nëse na imponohet një luftë – do të përgjigjemi me forcë. Do të synojmë interesat dhe bazat e tyre”, ka thënë Aziz Nasirzadeh në një intervistë me televizionin shtetëror të transmetuar të dielën vonë.

Nasirzadeh tha se Irani nuk ushqen armiqësi ndaj fqinjëve të tij, por paralajmëroi se nëse Uashingtoni nis një sulm, bazat amerikane të vendosura në ato vende fqinje do të konsiderohen si objektiva legjitime.

Gjithashtu të dielën, Irani zbuloi raketën e tij të fundit balistike, të quajtur “Qassem Basir”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tasnim.

“Raketa Qassem Basir është një raketë balistike me lëndë djegëse të ngurtë me një rreze veprimi prej 1,200 kilometrash (746 milje)”, raportoi agjencia.

Irani dhe SHBA-të janë angazhuar në bisedime bërthamore që nga 12 prilli.

Një raund i katërt negociatash, fillimisht i planifikuar për të shtunën, u shty për shkak të “arsyeve logjistike”, tha ndërmjetësi Omani në fillim të kësaj jave.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i kishte shkruar Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, në mars, duke nxitur negociata, ndërsa paralajmëroi për veprime të mundshme ushtarake nëse diplomacia dështon.

Që nga kthimi në detyrë në janar, Trump ka rivendosur politikën e tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit, e cila gjatë mandatit të tij të parë e pa atë të rivendoste sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Teheranit pas braktisjes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Kjo marrëveshje i kishte ofruar Iranit lehtësim nga sanksionet në këmbim të kufizimeve në programin e tij bërthamor.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-të, e kanë akuzuar prej kohësh Iranin se kërkon armë bërthamore – një akuzë që Teherani e mohon.