Përpjekjet për (mos)konstituimin e Kuvendit kalojnë në shifër dyshifrore, VV akuzohet se po e shndërron Kuvendin në “cirk”

Ndërsa mumri i tentativave për ta (mos)konstituuar Kuvendin e Kosovës u bë dyshifror, Vetëvendosje ende nuk po jep sinjale të tërheqjes nga përpjekjet për ta rikandiduar Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni – pavarësisht se ajo nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme.

Në përpjekjen e fundit, kjo parti propozoi krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, me deputetin Hekuran Murati si anëtar. Kërkesa hasi në rezistencë nga opozita. Kryetari i seancës, Avni Dehari, iu drejtua PDK-së për të nominuar një përfaqësues në komision, por kjo nxiti një reagim të ashpër nga lideri i saj, Memli Krasniqi.

Krasniqi i bëri thirrje deputetëve që të mos lejojnë presionet politike të cenojnë ligjshmërinë dhe funksionimin e Kuvendit, duke paralajmëruar se procesi po shndërrohet në një skenë absurde.

“Ju ftoj për përkundër presionit që keni nga partia që i takoni, mos u bëni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese dhe mos e bëni cirk këtë Kuvend” – deklaroi Krasniqi, të cilit u ndërpre fjala me shpejtësi nga Dehari.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosoves, Vlora Çitaku, akuzoi Vetëvendosjen se po e shndërron institucionin më të rëndësishëm të Kosovës “në një cirk”.

“Është jo vetëm e dhimbshme, por edhe e turpshme të shohësh sesi një grupacion politik po e shndërron Kuvendin në një cirk, si po tallen me të dhe me qytetarët që na kanë besuar votën për t’i përfaqësuar me dinjitet dhe për të marrë vendime me peshë.” – tha Çitaku.

Ajo kritikoi edhe vendimin e Deharit për t’ia ndërprerë fjalën kryetarit të PDK-së, ndërsa nuk kishte vepruar njësoj në rastin e përfaqësuesit të Listës Serbe.

“Madje sot, Kryesuesi i Kuvendit ia ndali fjalën Kryetarit të PDK-së dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, z. Memli Krasniqi, ndërkohë që fjalën nuk ia ndali përfaqësuesit të Listës Serbe. Sinqerisht, për turp.” – shtoi Çitaku.

Edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, u shpreh e shqetësuar për ngërçin politik. Në një deklaratë për Klan Kosova, ajo theksoi se vonesat në konstituimin e Kuvendit po dëmtojnë seriozisht funksionalitetin dhe progresin institucional të vendit.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Kuvendi të Kosovës, por zhvillimet edhe mosarritja e konstituimit të Kuvendit edhe si procedurë është një ndjenjë e keqe. Kosova po humb, po humbasim kohë dhe po humbasim efikasitet, që do të mund të ishte shumë produktiv edhe për vendin tonë, edhe mosushtrimi i mandatit është një pjesë që vështirëson në këtë proces, shpresoj të zhbllokohet sa më shpejtë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Ndërkohë, deputetja Ganimete Musliu hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kandidates Albulena Haxhiu, duke e cilësuar si instrument në duart e kryeministrit Albin Kurti.

“Albulena mbi Republikën! Shteti vazhdon të mbetet pa institucione, sepse Albulena ka vendosur të bëhet masha e Albinit. Ajo ka zgjedhur që pushtetin e Albinit ta vendosë mbi shtetin, mbi interesin e popullit, mbi të ardhmen e fëmijëve të saj. Kur individi vlen më shumë se shteti, vritet demokracia. Albulena po lejon që emri i saj të bëhet arma me të cilën Albini po synon të vrasë demokracinë tonë. Ajo po bëhet shkaktare e një krize institucionale, politike dhe morale.” – Musliu mes tjerash.