Hendek i madh tregtar me shtetet fqinje: Importojmë mbi trefish më shumë sesa eksportojmë

Ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me një disbalancë enrome në tregtinë e jashtme, ku importet vazhdojnë të tejkalojnë ndjeshëm eksportet, sipas të dhënave për vitin 2025. Deficit i lartë është shënuar edhe në vlerat e këmbimeve tregtare me vendet fqinje, prej të cilave importojmë dukshëm më shumë sesa arrijmë të eksportojmë.

Sipas të dhënave zyrtare për tremujorin e parë të vitit, Kosova ka eksportuar produkte në vlerë prej 191.7 milionë euro në total, ndërkohë që importet kanë arritur vlerën e 1 miliardë e 591 milionë euro. Kjo përkthehet në një deficit tregtar prej 1 miliard e 399 milionë euro, duke shënuar një nga nivelet më të larta ndonjëherë të deficitit tregtar të vendit në një periudhë kaq të shkurtër kohore.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024 – kur eksportet kapnin vlerën e 200 milionë eurove dhe importet ishin 1.361 miliardë euro – deficiti tregtar është thelluar ndjeshëm në vitin 2025, si në vlerë absolute ashtu edhe në raport të përqindijes.

Rikthimi i fuqishëm i produkteve serbe

Një pjesë e madhe e rritjes së importeve i atribuohet produkteve të importuara nga Serbia. Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 51.7 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej mbi 100 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, kur shifra ishte rreth 26 milionë euro më e ulët.

Këto të dhëna tregojnë një rikthim të bujshëm të aktivitetit tregtar me Serbinë, pas një periudhe të reduktuar shkëmbimesh si pasojë e barrierave të përkohshme.

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës drejt Serbisë mbeten modeste në vlerë, duke u kufizuar në 10.6 milionë euro, gjë që e përforcon më tej disbalancën kronike tregtare me këtë shtet.

Bilanci tregtar me shtetet tjera fqinje

Raportet tregtare me shtetet e tjera të rajonit paraqesin po ashtu një situatë jo të favorshme për Kosovën, ku importet tejkalojnë ndjeshëm eksportet në shumicën e rasteve:

Shqipëria: Kosova ka eksportuar 29.2 milionë euro, ndërkohë që ka importuar 86.48 milionë euro, duke rezultuar në një deficit prej mbi 57 milionë euro.

Maqedonia e Veriut: Me eksporte në vlerë 30.9 milionë euro dhe importe që arrijnë 112.3 milionë euro, marrëdhëniet tregtare me këtë shtetet janë të dominuara sërish nga importet, duke thelluar deficitin.

Mali i Zi përbën një përjashtim të rrallë, ku Kosova ka arritur një suficit tregtar modest. Eksportet drejt këtij shteti janë 10.9 milionë euro, ndërsa importet vetëm 4.7 milionë euro.

Tregtia e Jashtme e Kosovës me shtetet fqinje
Shteti Eksport Import
Serbia 10.6 milionë € 51.7 milionë €
Shqipëria 29.2 milionë € 86.48 milionë €
Mali i Zi 10.9 milionë € 4.7 milionë €
Maqedonia e Veriut 30.9 milionë € 112.3 milionë €

Burimi: Dogana e Kosovës.

Deficiti tregtar kumulativ i Kosovës në katër vitet e fundit nuk përbën thjesht një statistikë – qëndron si përgenjështures i suksesit të shumëtrumbetuar nga kreu i qeverisë: 19 miliardë euro disbalancë tregtare në katër vjet.

Bilanci tregtar, që tregon diferencën mes vlerës së produkteve të eksportuara dhe atyre të importuara, pasqyron një trend të frikshëm: një thellim alarmues të deficitit tregtar, me eksportet që ndonëse paten një rritje impresive në vitin 2022, mbeten të zbehta në vitet pasuese. Importet në anën tjetër, u rriten eksponencialisht.

Në shumë paraqitje në fillim të mandatit, Kurti zotohej se qeveria do ta transformojë Kosovën në një vend me fokus në rritjen e eksporteve.

Një bum i shkurtër pas pandemisë u vu re në vitin 2022, me eksportet që arritën kulmin prej 920.4 milionë eurosh.

Megjithatë, në vitet pasuese eksportet nuk shënuan ndonjë rritje domethënëse dhe deri në fund të vitit 2024, ato ishin vetëm pak mbi nivelin e vitit 2021.