Bashkimi Evropian vazhdon të japë sinjale hapjeje ndaj Shteteve të Bashkuara për të negociuar një marrëveshje “të balancuar dhe të drejtë” mbi tarifat.
Diçka po lëviz gjithashtu midis SHBA-ve dhe Kinës, sipas deklaratave të Ministrisë së Tregtisë të Pekinit, e cila tha se po vlerësonte një ofertë nga Shtetet e Bashkuara për bisedime mbi tarifat dhe se Washington-i kishte “marrë iniciativën” për të filluar negociatat.
Mjaftueshëm që tregjet të reagojnë pozitivisht.
Ditët e fundit, Presidenti i SHBA-ve ka thënë vazhdimisht se Kina kishte kërkuar bisedime mbi tarifat dhe të mërkurën tha se kishte “shanse të larta për të arritur një marrëveshje”.
Kurse zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, dje mohoi ekzistencën e “konsultimeve ose negociatave”, duke i ftuar Shtetet e Bashkuara “të mos ngatërrojnë opinionin publik”.
Komisioni i informoi shtetet anëtare të mërkurën mbi zhvillimet e fundit dhe përshkroi hapat e mundshëm të mëtejshëm, të cilët i shpjegoi Komisioneri i Tregtisë Maroš Šefcovic në një intervistë me Financial Times.
Zemra e problemit, të cilin Washington-i e pretendon kundër Brukselit, është suficiti i BE-së në bilancin tregtar midis dy anëve të Atlantikut.
Por, siç e përsëriti Šefcovic, “nëse ajo që ne e konsiderojmë problem të deficitit është 50 miliardë euro, mendoj se ne mund ta zgjidhim vërtet këtë problem shumë shpejt përmes blerjes së LNG-së dhe përmes disa produkteve bujqësore si soja ose sektorë të tjerë”.
Në takimin e tij të fundit në Washington me Sekretarin e Tregtisë të SHBA-ve, Howard Lutnick, dhe Përfaqësuesin e Tregtisë, Jamieson Greer, Šefcovic vuri në dukje se llogaritja e suficitit duhet të marrë në konsideratë edhe eksportet amerikane të shërbimeve në BE, të cilat e çojnë deficitin e përgjithshëm tregtar me Evropën në rreth 50 miliardë.
Ndoshta pati ndikim.
“Ajo që është shumë e rëndësishme është se mendoj se e kuptojmë njëri-tjetrin pak më mirë. Dhe mendoj se ata na kuptojnë pak më mirë”, tha ai.
“Mendoj se i kuptojmë pak më mirë numrat”.
Megjithatë, për momentin, nuk ka oferta në tavolinë, sqaroi dje zëdhënësi i Komisionit për Tregtinë, Olof Gill.
“Duhet të jemi shumë të qartë për këtë fakt: për momentin nuk i është bërë asnjë ofertë zyrtare Shteteve të Bashkuara. Deri më tani kemi diskutuar fushat ku, nga ana jonë, besojmë se mund të gjejmë një marrëveshje”.
Šefcovic i dha gjithashtu Financial Times një mesazh tjetër: BE-ja nuk do të pranonte që Washington-i të mbante tarifa prej 10% për produktet e saj si rezultat i bisedimeve.
Në armëpushimin 90-ditor të shpallur nga Trump, Washington-i uli të ashtuquajturat tarifa “reciproke” nga 20% në 10%, të cilat BE i konsideron shumë të larta.
Komisioni do të vazhdojë të përgatisë kundërmasa për të synuar produktet amerikane, por jo shërbimet.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.