Kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, i ka quajtur shpifje pretendimet e teologut nga Vushtrria, Emin Behrami, i cili thotë se kryem imami Tërnava, në vitin 2002 në cilësinë e kryesuesit të Kuvendit të BIK-ut, ka marrë 300 mijë marka gjermane nga llogaria e Bashkësisë dhe ato i ka dërguar në arkën e medresesë Alaudin.
Tërnava thotë se asnjëherë të vetme nuk ka tërhequr para në emër të medresesë ‘Alaudin’, e as si Myfti, pasi sipas tij një gjë e tillë u përket arkëtarëve.
“Unë botërisht deklaroj se asnjëherë nuk kam tërhequr nga bankat para ne emër te Medresesë si drejtor i saj, dhe as tash si Myfti i vendit ngase kjo është pune e arkëtareve”, ka thënë Tërnava, shkruan gazeta Express.
Për këto deklarata Tërnava ka paralajmëruar se do të padisë Emin Behramin për shpifje.
“Unë nesër do ti bëjë një kundër akuzë për shpifje Emin Behramit dhe do të kërkojë nga prokuroria që të merren me këtë person i cili vazhdimisht vetëm shpifë”, thuhet në një reagim të dërguar në adresë të mediave nga adresa e djalit të Tërnavës, Harisit.
Për Tërnavën deklarimet e Emin Behramit janë shpifje të ulëta, që mund t’i bëjë vetëm një person si ai.
Mirëpo Emin Behrami ka deponuar një Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, pasi që pretendon se Naim Tërnava i ka vjedhur 300 mijë marka.
Ai thotë se Tërnava e ka pranuar edhe vetë se i nga ngritur nga banka ato para dhe i ka dërguar në arkë të medresesë ‘Alaudin’.
Behrami thotë se përveç tjerash është e palejueshme që të nxjerrësh një sasi të madhe parash, për t’i dërguar në arkën e medresesë “Alaudin”, e cila nuk kishte kurrfarë sigurie.