A po i shkel rregullat LVV-ja me insistimin për votim të fshehtë?

 

Përveç refuzimit të partive politike, kjo përpjeke për të ndryshuar mënyrën e votimit, nga e hapur në atë të mbyllur, po konsiderohet si shkelje e rregullave.

Për të dytën herë me radhë kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, – deputeti më i moshuar i legjislaturës së nëntë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – ka insistuar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës të bëhet përmes votimit të fshehtë.

Dehari po tenton ta ndryshojë formën e votimit pas disa përpjekjeve të dështuara për të votuar kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës me votim të hapur.

Megjithatë ky tentim i tij po hasë me kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe, të cilat po refuzojnë që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Përveç refuzimit të partive politike, kjo përpjeke për të ndryshuar mënyrën e votimit, nga e hapur në atë të mbyllur, po konsiderohet si shkelje e rregullave.

“Edhe Kushtetuta edhe vendimi i Kushtetueses e përmend mundësinë e votimit të fshehtë dhe të hapur, por kjo është dashur të bëhej në fillim të seancës konstituive, më 15 prill, është dashur të propozohej nga partia fituese, tash është vonë, tash nuk bën, është shkelje”, thotë Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, hulumtues në organizatën Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, vlerëson se votimi i fshehtë është paraparë për seancat plenare që kanë karakter të rregullt. Prandaj, votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet në seancën konsitituive.

“Kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e kryetarit të kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik”.

Ndërkaq Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), konsideron se kalimi në votim të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është një veprim që shkel rëndë procesin demokratik të votimit dhe përbën një përpjekje për të manipuluar vullnetin e deputetëve, duke e shmangur transparencën dhe llogaridhënien publike.

“Kalimi në votim të fshehtë në mes të seancës, përveç se është shkelje dhe cenim i rëndë i procesit të votimit, nuk përbën zhbllokim të situatës. Është përpjekje për të kontrabanduar vullnetin e deputetëve”, ka vlerësuar mes tjerash Cakolli.

Edhe drejtori i Institutit për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, vlerëson se përpjekja e LVV-së që të bëjë “akrobacione” me mënyrën e votimit për kryetarin e Kuvendit të Kosovës paraqet “aktin e fundit të humbjes së besimit dhe kuptueshmërisë së dialogut politik” për kapërcimin e krizës institucionale në Kosovë.

“Mënyra e votimit s’e zgjidh krizën, por këtë mund ta bëjë vetëm marrëveshja politike. Imponimi nuk zgjidhë asgjë, përkundrazi, tregon moskapacitet për marreveshje! E drejta për të propozuar, nuk nënkupton të drejtën e zgjedhjes! Është koha e fundit që të kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese për ta tejkaluar bllokadën”, ka thënë ai.

Pothuajse tre muaj pas zgjedhjeve, vendi nuk ka arritur t’i themelojë institucionet e reja për shkak të mospajtimeve midis LVV-së dhe partive të tjera rreth zgjedhjes së deputetes, Albulena Haxhiu, në pozitën e kryeparlamentares. Në gjashtë raunde votimesh, ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash.

Seanca konstituive, që ka nisur më 15 prill, mund të ndërpritet dhe të vazhdohet sërish brenda 48 orësh. Nuk ka kufizime se sa vazhdime mund të ketë deri në konstituimin e organit ligjvënës.

Votimi i kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës.