Murati paralajmëron se nesër do të provojnë të zgjedhin Albulena Haxhiun me votim të fshehtë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministri në dorëheqje, Hekuran Murati, ka apeluar që të shtunën (nesër) të votohet zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se çfarëdo zvarritje a bllokade e mëtutjeshme e partive tjera duke votuar kundër konstituimit të Kuvendit, tashmë është e tepruar dhe e panevojshme.

Murati, përmes një postimi në Facebok, ka thënë se “pas më pak se 12 orë, do të kemi mbledhjen e radhës në seancën konstituive të Kuvendit, për të zgjedhur Kryetaren dhe Nënkryetarët”.

“Për dallim prej qeverisë, ku vetëm koalicioni qeverisës i merr të gjitha pozitat në ekzekutiv, në Kuvend pushteti ndahet tek të gjitha partitë,

Pra nuk i merr të gjitha pozitat e kryesisë koalicioni qeverisës që bën 61 vota, por pozitat e kryesisë ndahen tek të gjitha partitë. Në njëfarë forme, hartuesit e Kushtetutës kanë dashur të balancojnë pushtetin legjislativ duke imponuar, nëse mund të quhet kështu, një Koalicion Konstituiv para se të kalohet tek Koalicioni Qeverisës”, ka shkruar ai.

Tutje Murat ka thënë se “Kryetari dhe një nënkryetar i takojnë partisë më të madhe, një nënkryetar i takon partisë së dytë, një nënkryetar i takon partisë së tretë, dhe dy nënkryetarë u takojnë partive që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë. Prandaj nuk ka kuptim që edhe më tutje të stërzgjatet diçka që është e përcaktuar në Kushtetutë”.

“I kemi dëgjuar përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së teksa thonë që për pozitën e Nënkryetarit e cila u takon atyre me Kushtetutë, s’e shohin të nevojshme të diskutojnë se kë e propozoinë kandidat. Të njëjtën gjë po e themi edhe ne për pozitën që na takon nga po i njëjti Nen i Kushtetutës – Neni 67”, ka shkruar ai.

Murati thotë se “Çfarëdo zvarritje a bllokade e mëtutjeshme e partive tjera duke votuar kundër konstituimit të Kuvendit, tashmë është e tepruar dhe e panevojshme. Çfarëdo mesazhi që kanë dashur të përçojnë me votën e tyre kundër tash e disa seanca, le ta konsiderojnë të përçuar. Por nesër, le ta zgjedhim Kryesinë e Kuvendit”.

Ai thotë se “Koalicioni Konstituiv, i përbërë prej të gjithë deputetëve, duhet ta zgjedhë Kryesinë e Kuvendit”.

“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, mendoj që mënyra e votimit të fshehtë, e sugjeruar edhe nga Gjykata Kushtetuese, ofron mundësinë ideale për të dalë nga bllokada dhe deputetët e zgjedhur të mund të çojnë në vend pushtetin e deleguar nga qytetarët, duke konstituuar Kuvendin e duke zgjedhur qeverinë e re”.

“Normalisht që më shumë do të duartrokitej nëse të tri partitë më të mëdha do të bëheshin bashkë për të zbatuar detyrimin Kushtetues dhe të votonin në mënyrë të hapur, si Koalicion Konstituiv, Kryesinë e Kuvendit, por në mungesë të një konsensusi të tillë, çfarëdo mënyre e votimit që zhbllokon procesin është më e mirë salesa të vazhdohet kështu pafundësisht”, ka shkruar ai, duke sugjeruar.

“Nesër, le ta zgjedhim Kryesinë e Kuvendit!”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës nesër do të mblidhet sërish në përpjekje për ta zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit