Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan, sulmeve të koordinuara dhe fushatës denigruese që po zhvillohet kundër organizatës dhe kryetarit të Bordit, Xhemajl Rexha.
AGK vlerëson se në vend të një reflektimi të nevojshëm institucional pas rënies së rëndë të Kosovës në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij” – ku vendi ra për 24 pozita dhe renditet më keq se të gjitha vendet e rajonit – po vërehet një tendencë shqetësuese nga ana e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të fajësuar AGK-në dhe drejtuesin e saj për këtë situatë.
Xhemajl Rexha, gazetar me mbi 20 vite përvojë dhe integritet të lartë profesional, udhëheq Asociacionin që prej katër vitesh dhe ka qenë në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e lirisë së shprehjes në Kosovë.
AGK thekson se deputetja e zgjedhur Arbëresha Hyseni-Kryeziu ka sulmuar në mënyrë të papranueshme personalisht kryetarin Rexha, ndërsa deputetët Valon Ramadani dhe Arjeta Fejza kanë targetuar vetë organizatën.
“AGK u bën thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që t’i ndalojnë sulmet ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të organizatave të pavarura, dhe të përballen me seriozitet me situatën alarmante të lirisë së mediave në Kosovë”, thuhet në reagimin e organizatës.
Asociacioni rikujton se liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve nuk janë çështje preferencash politike, por vlera themelore të një demokracie funksionale. /Demokracia.com/