Punëtori i larguar nga Trepça i reagon publikisht menaxhmentit- Thotë se Gjykata vendosi që ai të kthehet në vendin e punës

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kur në gjithë botën ngrihet zëri për të drejtat e punëtorëve, ish-zyrtari i ndërmarrjes publike Trepça SH.A, Afrim Barku, ka reaguar publikisht përmes një deklarate të drejtpërdrejtë dhe të detajuar, ku denoncon një varg shkeljesh sistematike brenda ndërmarrjes.

Drejtësia nuk është çështje private – është obligim publik” shprehet Barku në fillim të reagimit të tij, duke theksuar se rasti i tij personal është vetëm një ilustrim i një krize më të thellë që po ndodh brenda Trepçës.

Sipas tij, në gusht-shtator 2024, Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të Trepçës ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme ndaj tij, duke e transferuar në mënyrë arbitrare nga pozita e zyrtarit të prokurimit në Mitrovicë në pozitën e zyrtarit të burimeve njerëzore në Kishnicë – jo vetëm duke e degraduar profesionalisht, por edhe duke e detyruar të udhëtojë mbi 110 km vajtje-ardhje çdo ditë.

Vendimi është marrë në kundërshtim me kontratën time dhe pa asnjë bazë ligjore” thekson Barku, duke shtuar se Komisioni i Ankesave, i cili duhej të garantonte drejtësinë e brendshme, ka vepruar si “noter i vendimeve të paligjshme”.

Pasi ka ngritur ankesat e tij në rrugë institucionale, Barku tregon se është përballur me masa të tjera represive: pezullim nga puna me gjysmë page dhe më pas edhe largim i plotë nga puna – të gjitha të mbështetura nga komisione të formuara dhe të kontrolluara nga i njëjti udhëheqës.

Rasti ka përfunduar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e cila, sipas Barkut, ka rrëzuar të gjitha vendimet e ndërmarrjes si të kundërligjshme dhe ka urdhëruar kthimin e tij në punë dhe kompensimin e pagave të humbura.

Një tjetër institucion që i ka dhënë të drejtë është Inspektorati i Punës, i cili ka gjobitur Trepçën me një shumë prej 1500 eurosh për transferimin e paligjshëm të zyrtarit.

Por edhe përballë këtyre vendimeve, sipas Barkut, menaxhmenti i Trepçës ka zgjedhur të ankohet në Gjykatën e Apelit “vetëm për të blerë kohë” – ndërsa Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes ka qëndruar në heshtje të plotë.