Pas dështimit të dytë për të zgjedhë drejtorin e RTK-së, ka reaguar sindikata e pavarur e Radio Televizionit të Kosovës, duke thënë se janë të shqetësuar nga mënyra se si po tentohet të zgjidhet drejtori gjeneral i RTK-së.
Përmes një reagimi drejtuar mediave, nga kjo sindikatë kanë shkruar se presioni për të votuar me vota të hapura nuk shpjegohet ndryshe përveç se përpjekje për manipulim të procesit.
“Zvarritja e votimit po bëhet me qëllim të rritjes së presionit ndaj disa anëtarëve të Bordit që të votojnë kundër bindjeve të tyre. SPRTK i fton anëtarët e Bordit që të mos dorëzohen para presionit dhe shantazhit, dhe të gjitha këto t’i bëjnë publike”, thuhet në reagim.
Nga kjo sindikatë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të angazhohen që RTK të ketë bord të pavarur, profesional dhe të pandikuar në punën e tyre.
“SPRTK kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të angazhohen që RTK ta ketë një Bord të Pavarur, profesional dhe të pandikuar në punën e tyre.
Më shume se asnjëherë më parë kjo do të mund të realizohet tani, pasi që pothuajse gjysma e Bordit të RTK-së janë në proces të rizgjedhjes”, thuhet në reagim.