‘‘Nuk kanë mësuar asgjë’’, Kryeziu: VV-ja me vetëdije po cenon besimin dhe legjitimitetin që ia dha publiku

Ismet Kryeziu nga KDI, ka komentuar situatën aktuale të ngërçit të krijuar në Kuvend, duke akuzuar Vetëvendosjen se po cenon besimin dhe legjitimitetin që ia ka dhënë publiku, shkruan Gazeta Express.

Ai ka deklaruar edhe se, përdorimi i pozitës për përfitime personale apo partiake, edhe kur nuk provohet ligjërisht, ndjehet nga qytetarët.

”Shoqëria shpesh gjykon me norma që herë janë më të larta se ligji, e herë sanksionojnë edhe sjellje që ligji nuk i parasheh fare. Në politikë dhe në jetën publike nuk mjafton të jesh “jo fajtor”; duhet të jesh i besueshëm. Përdorimi i pozitës për përfitime personale apo partiake, edhe kur nuk provohet ligjërisht, ndjehet nga qytetarët.

Koritja e një lideri apo subjekti politik nuk vjen vetëm për shkelje ligjore, ajo prek integritetin, reputacionin, besueshmërinë dhe legjitimitetin moral.

Në këtë fazë të zhvillimeve për konstituimin e Kuvendit, Vetëvendosje me vetëdije po e cenon besimin dhe legjitimitetin që ia dha publiku. Të njëjtën rrugë e kanë ndjekur edhe parti e liderë të tjerë më parë, e u ndëshkuan jo nga shkeljet ligjore, por nga qytetarët. Dhe siç po duket, këta nuk kanë mësuar asgjë nga ajo që shoqëria e ka treguar, se në momentin e duhur, vlerësimi bëhet dhe mbi standardet shoqërore, jo vetëm mbi ligjin”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook.

Ndryshe, sot ka dështuar edhe tentativa e nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kësaj seance, kryesuesi Avni Dehari ka propozuar që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, ku u bëri thirrje partive të propozojnë nga një anëtar për komisionin për udhëheqjen e këtij procesi.

Megjithatë, kjo kërkesë e Deharit u kundërshtua nga partitë e tjera.

Seanca e radhës është thirrur për të shtunën me datë 3 maj, nga ora 10:00. /GazetaExpress