Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka marrë vendim të lirojë nga masa e paraburgimit katër serbët e arrestuar më 5 prill në Gjakovë.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga zëdhënsja e kësaj gjykate, Antigona Uka-Lutfiu.
“Po janë liruar nga masa e paraburgimit”, tha shkurt ajo për Reporteri.net.
Gjykata Themelore në Gjakovë më 7 prill 2025 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër të dyshuarve.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datë 05.04.2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët Nr. 05/L-022, neni 2 pika 1.24, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sopatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”.
“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhej në njoftim të Gjykatës.
Për arrestimin e tyre ishte deklauar edhe Qeveria në detyrë e Kosovës.
Aty thuhej se arrestimi i këtyre dhe sulmet në veri kërkojnë rritje të vigjilencës së institucioneve.
“Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuheë në komunikatë.
Ndërsa, Policia e Kosovës pati njoftuar se të arrestuarave u ishte gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë.