Akrobacioni i Kurtit në bllokadë, bën përpjekje të parregullt për ta ndryshuar mënyrën e votimit, s’gjen vota as për këtë

Sot për herë të nëntë, deputetët e zgjedhur janë mbledhur për të konstituar legjislaturën e nëntë. Pas disa dështimeve për të siguruar 61 votat e nevojshme për Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, VV sot provoi një akrobacion tjetër – votimin e fshehtë, por as për këtë s’pati vota. Partitë e opozitës dhe ekspertët  e cilësuan si  të paligjshme.

Në përpjekjen e nëntë për konstituimin e kuvendit, VV kërkoi që votimi për kryetarin e kuvendit të zhvillohet në mënyrë të fshehtë.

“Me qëllim të hapjes rrugë për zhbllokimin e procesit, konsideroj që forma e duhur që mund t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit është votimi në mënyrë të fshehtë me vletëvotime fizike”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Menjëherë Memli Krasniqi i PDK’së dhe Hykmete Bajrami nga LDK e kundërshtuan këtë propozim të Deharit.

Krasniqi tha se kjo është e papranueshme, i cili paraprakisht takoi Kurtin tha se nëse do të ishte vendosur në fillim “ndoshta do të kishte qenë e pranueshme”, ndërsa Bajrami, ka thënë se kjo është arbitrare, shkelje Kushtetuese dhe shkelje e rregullores.

Komisioni për votimin e fshehtë që u propozua nga Dehari i VV’së nuk i mori votat e mjaftueshme, gjashtë më pakë se se u deshën.

Pasi u konstua se për këtë akrobacioni Kurti pati vetëm 55 vota seanca u ndërpre.

Pas dështimit të seancës i pari i PDK’së tha se votimi i fshehtë i propozuar nga Avni Dehari, nuk ka kuptim dhe sipas tij do të vlente vetëm nëse do të ishin dy kandidatë. Ai shtoi se Albulena Haxhiu ‘‘nuk kalon pikë’’.

‘‘Ka vendos me vazhdu talljen edhe me kandidaten edhe Haxhiu edhe me krejt qytetarët e Kosovës. Ju thash, nuk bëhet kjo punë. Votimi i fshehtë kur janë dy kandidatë, ka nifar kuptimi. Por në këtë rast nuk vlen. Frika e tyne, po besoj me u bo horë,  se edhe këta duhet me e kuptu që janë ka bëhen horë.  S’kanë arsyetim. 55 vota i kanë, as 57 që i kanë pas ma herët s’po mrrijnë me i bë, nuk kalon Albulena Haxhiu, këtë e din zoti Kurti, çdo qytetarë tashmë. Nuk kalon Albulena Haxhiu pikë. Qytetarët nuk i kanë borxh Albin Kurti për me majt të bllokum vendin, se u tek një shoqe e tij me u bë kryetare e Kuvendit’’, ka thënë ai pas seancës.

Ndërkaq shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se qytetarët që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje duhet ta dinë se po shkohet drejt zgjedhjeve të reja për shkak se LVV s’po dëshiron ta konstituojë Kuvendin dhe duan zgjedhje të reja vetëm për ta bërë Haxhiun kryetare të Kuvendit.

“Ne sot flasim për emrin e Albulena Haxhiut. Qytetarët që e kanë votuar me shumicë VV-në, duhet ta dinë që jemi duke shkuar drejt një procesi të zgjedhjeve. Po shkojmë në zgjedhje, jo se s’po pajtohemi ta adresojmë inflacionin, apo s’po pajtohemi për luftën e mafisë energjetike, por sepse partia fituese që I ka 48 vota e ka një problem. Ata i kanë reduktuar të gjitha problemet në emrin e Albulena haxhiut. Po shkojmë në zgjedhje sepse VV po dëshiron t’i përsërisim zgjedhjet vetëm për ta bërë Haxhiun kryetare”, ka thënë Bajrami.

Reagim pati edhe nga kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i cili ndodhet jashtë vendit. Propozimin e Deharit për votim të fshehtë ai e ka cilësuar si ‘‘arbitraritet të plotë”.

Para gazetarëve doli edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila tha se përmes Albulena Haxhiut, Vetëvendosje po e mban peng vendin.

“Këta duke e pa që nuk i kanë votat, nuk po i sigurojnë votat, janë lidhur me emrin e Albulena Haxhiut dhe tash Kosova duhet të mbetet peng i Albulena Haxhiut”, tha Kadrijaj.

Opozita u la fajtore nga ana e deputetit Hekuran Murati. Ai tha se sot u pa kush po bllokon.

Ai iu referua aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, letrës së presidentes Osmani drejt Deharit dhe rregullores së Kuvendit.

“Në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 konkretisht paragrafi 124 mundësohet që votimi të jetë i hapur, i fshehtë apo cfarëdo tjetër në mënyrë që të konstituohet kuvendi, Kushtetuesja ka parapa që cilado prej këtyre formave mund të përdoret. Gjithashtu në pajtim me këshillën e presidentes sepse siç e dini në fillim kur ka filluar seanca kishim një pengesë tek votimi i raportit për verifikimin e mandateve, përgjigja e presidentes në kërkesën e Deharit ka qenë që si deputet si kuvend është në përgjegjësinë e deputetëve që të gjejnë përpara për zhbllokim të situatës e jo të shohim si mund të bllokohet. Në kuadër të kësaj, letra e presidentes, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, rregullorja e kuvendit, ne kemi propozuar si rrugëdalje këtë format të votimit që të mundësohet ecja tutje”, tha ai.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha se “kjo që ndodhi sot nuk është në praktikën parlamentare”, derisa komentoi para gazetarëve propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të votuar për kryetar të Kuvendit “në mënyrë të fshehtë”.

“Politika kështu bëhet, bashkëbisedoni, takoheni, tentoni për të gjetur zgjidhje. Por, nuk duhet asnjëherë të përjashtohen mundësitë e takimeve e bashkëbisedimeve. Më vjen mirë që atë që e kam thënë para dy muajsh, për tema nacionale, për tema në interes të shtetit duhet të dialogohet”, tha Limaj.

Ai tha se deputetët do të bënin shkelje nëse do të pranonin të votonin në mënyrë të fshehtë.

Instituti Demokratik i Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të votimit gjatë vazhdimit të sotëm të seancës konstituive.

KDI tha se ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit. KDI shton se ky propozim nuk kishte baze në Rregulloren e Kuvendit.

KDI ka ftuar kryesuesin e seancës, Avni Dehari dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues.

Eugen Cakolli nga kjo organizatë,  ka thënë se kalimi në votim të fshehtë në mes të seancës është shkelje dhe cenim i rëndë i procesit të votimit. Sipas tij kjo nuk përbën zhbllokim të situatës. Cakolli shtoi se kjo ishte përpjekje për të kontrabanduar vullnetin e deputetëve.

“Cila ishte arsyeja për këtë kthesë të papritur? A ka indikacione se dikush do të votojë ndryshe në votim të fshehur, apo thjesht po hapet dera për pazare të fshehta? Pse po tentohet të fshihet vullneti politik, kur vota duhet të jetë përfaqësim i qytetarit? Pse?!”

Ndërsa Ehat Miftaraj nga IKD, ka thënë se votimi i fshehtë nuk lejohet në këtë fazë. Miftaraj ka shtuar se Dehari s’ka të drejtë të dal jashtë skenarit të Sekretariatit të Kuvendit, dhe se, ky propozim është qasje arbitrare dhe se që e njëjta nuk do të duhej të ndodhte.

”Nuk lejohet votimi me votë të fshehtë në këtë fazë. Kryesuesi nuk ka të drejtë të dal jashtë skenarit të Sekretariatit të Kuvendit. Kjo qasje është arbirtrare dhe nuk do të duhej të ndodhte”, ka shkruar ai.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se votimi i fshehtë është i paraparë për seanca plenare. Sipas tij kjo mënyrë e votimit në seancë konstituive krijon hapësirë për manipulime dhe blerje votash.

“Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik.”

Krasniqi ka shtuar se VV po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për kryekuvendar. Ai shtoi se VV duhet ta ndërrojë propozimin për kryetar kuvendi ose partitë tjera të provokojnë një vendim për të këkruar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërsa, drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka deklaruar se mënyra e votimit nuk e zgjidh krizën, por këtë mund ta bëjë vetëm marrëveshja politike.

“Imponimi nuk zgjidh asgjë, përkundrazi tregon moskapacitet për marrëveshje! E drejta për të propozuar nuk nënkupton të drejtën e zgjedhjes”, ka shkruar në Facebook.

Ai thotë se “është koha e fundit që të kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese, për ta tejkaluar këtë bllokadë”.

Seanca konstituive do të vazhdojë sërish më 3 maj në ora 10:00. /GazetaExpress/