Në reagimin e tyre thuhet se, ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit.
“Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare”, thuhet në reagimin e tyre.
Mes tjerash, theksohet se çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit.
“KDI fton kryesuesin e seancës, Dehari, dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues”, bëhet e ditur në njoftim./Telegrafi/