Llumnica: Punëtorët e KEK-ut rrezikojnë jetën, KEDS po bëhet milioner

Kryetari i i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, është deklaruar  në prag të protestës së paralajmëruar më 1 Maj, duke theksuar gjendjen e rëndë ekonomike të punëtorëve. Sipas tij, punëtorëve po u ulet paga në mënyrë reale, ndërsa shtrenjtimi i energjisë dhe produkteve bazike ka rrënuar fuqinë e tyre blerëse.

“Punëtorëve gjithmonë e më shumë po u ulen financat. Paga realisht është ulur me këto shtrenjtimet dhe inflacionin, fuqia blerëse ka rënë rritja e çmimeve nuk është përcjellë me rritje pagash,” tha Llumnica.

Ai shtoi se punëtorët e KEK-ut po përballen me kushte të vështira pune, duke rrezikuar jetën për të prodhuar energji elektrike që më pas shitet me çmim të lirë, ndërsa kompani si KEDS, sipas tij, përfitojnë miliona.

‘’ Realisht është për të ardhur keq kur këta punëtorë rrezikojnë jetën e tyre për të prodhuar energji elektrike Kosovës duke e shit me një çmim të lirë e KEDS bëhet milioner’’, tha Llumnica.

Kryetari deklaroi se nga nesër do të protestohet dhe tha se nuk do të  ndalen deri në plotësim të kërkesave

“Ne nga nesër do të protestojmë për rritje të pagave, krahas rritjes së çmimeve dhe nuk do të ndalemi deri në përmbushjen e kërkesave tona,” përfundoi Llumnica.